Armëpushimi mes ushtrisë së Izraelit dhe Xhihadit Islamik hyn në fuqi në Gaza (fotot)

14/05/2023 18:30
Sistemet izraelite gjurmojne raketat ne ardhje

Një armëpushim ka hyrë mbrëmë në fuqi në zonat rreth Rripit të Gazës, pas pesë ditë sulmesh ajrore të Izraelit që kanë vrarë të paktën 33 palestinezë, dhe kundërpërgjigjeve me raketa nga militantët, që raportohet se kanë vrarë dy persona në jug të Izraelit.

Armëpushimi duhet të hynte në fuqi prej orës 22.00 sipas burimeve të ndërmjetësuesve egjiptianë, por disa minuta para orarit disa raketa të lëshuara nga militantët në Gaza, bënë që avionët izraelitë të ngriheshin përsëri për të bombarduar, raportonin vëzhguesit e rrjetit AFP.

Shumica e raketave palestineze u interceptuan nga mbrojtja raketore izraelite.

Egjipti i cili ka ndërmjetësuar dhe më parë në Gaza, siguroi marrëveshjen mes Izraelit dhe militantëve pas negocjatave për të ndaluar dhunën e rëndë, thanë zyrtarët e Kairos.

“Këshilltari izraelit i sigurisë Tsahi Hanegbi … falënderoi presidentin egjiptian Abdel Fattah al-Sisi, për përpjekjet e zellshme të armëpushimit,” u tha në një deklaratë të zyrës së kryeministrit izraelit.

Zyrtarët e Tel Avivit shtonin se reagimi izraelit ndaj iniciativës së Izraelit do të jetë” “Qetësisë do t’i përgjigjemi me qetësi, dhe nëse Izraeli sulmohet do të bëjë çdo veprim të nevojshëm për të mbrojtur veten”.

Burime palestineze gjithashtu konfirmonin marrëveshjen me Xhihadin Islamik.

“Ne falenderojmë Egjiptin për përpjekjet,” tha përfaqësuesi militant palestinez Mohammad al-Hindi për rrjetin AFP, i cili kishte qenë në Kairo që prej përshkallëzimit të zjarrit izraelit.

Dje Izraeli goditi përsëri rëndë qytetin e Gazës me sulme ajrore, pasi raketa ishin lëshuar në drejtim të Izraelit për të shënuar funeralin e vrasjes së komandantit militant Iyad al-Hassani, një ditë më parë.

Prej pesë ditësh rezidentët në zonat e populluara të Rripit të Gazës qëndronin të izoluar në shtëpi prej sulmeve ajrore e luftimeve.

Një zëdhënës i ministrisë së brendshme në Gaza tha se në ditën e fundit të fushatës së bombardimeve Izraeli kishte përqendruar sulmet në goditjen e civilëve dhe ndërtesave rezidenciale.

Armëpushimi ka qëndruar prej mbrëmjes së djeshme.

FOTO GALERI
1/2
Prej pesë ditësh rezidentët në zonat e populluara të Rripit të Gazës qëndronin të izoluar në shtëpi prej sulmeve ajrore e luftimeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA