Kryeministri i vendit, Albin Kurti, u ka thënë ambasadorëve të vendeve të QUINT-it se marrëveshja me Serbinë, si dhe aneksi i dakorduar, duhet të zbatohen pa kushte.
Ai ka pritur në takim ambasadorët e akredituar në Kosovë ku ka përmendur nevojën që Bashkimi Evropian të mbajë përgjegjëse Serbinë për shkeljet e vazhdueshme që po i bën marrëveshjes.
“Në takim u diskutua për procesin e dialogut dhe zbatimin e Marrëveshjes Bazë me Serbinë dhe Aneksin e Zbatimit nga takimi i 27 shkurtit në Bruksel dhe ai i 18 marsit në Ohër ndërmjet të dyja shteteve. Kryeministri Kurti dhe zëvendëskryeministri Bislimi theksuan se Marrëveshja Bazë dhe Aneksi i Zbatimit duhet të zbatohen pa kushte, pa vonesa dhe në mënyrë të plotë. Gjithashtu, u përmend nevoja që BE-ja ta mbajë përgjegjëse Serbinë për shkeljet e vazhdueshme që po i bën marrëveshjes”, shkruan Kosovapress.
Të hënën në Bruksel do të takohen kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, takim ky që sipas Qeverisë do të ketë në fokus zbatimin e sekuencuar të marrëveshjes bazë dhe të aneksit.
Top Channel