Të shtëna me armë në fabrikën e “Mercedez” në Gjermani, dy të vdekur

11/05/2023 14:04

Dy persona u vranë nga të shtënat në një fabrikë të Mercedes Benzit në jugperëndim të Gjermanisë të enjten, derisa bëhet e ditur që policia ka arrestuar një të dyshuar.

I dyshuari, 53-vjeçar, hapi zjarr ndaj viktimave përpara se punonjësit e sigurisë të fabrikës që ndodhet në qytetin Sindelfingen, ta ndalonin atë dhe t’ia dorëzonin policisë.

I dyshuari nuk ka bërë rezistencë ndaj arrestimit, thanë ata, dhe viktimat, të dy të moshës 44 vjeçare, vdiqën nga plagët e marra. Hetuesit nuk kanë përcaktuar ende një motiv për të shtënat e së enjtes.

Incidenti ishte i fundit nga një numër i të shtënave masive në Gjermani gjatë viteve të fundit, shumë prej të cilave kishin lidhje me ekstremizmin fetar.

Qeveria gjermane ishte zotuar të shtrëngonte më tej ligjet e saj për armët pasi një person i armatosur hapi zjarr ndaj njerëzve të mbledhur në një sallë të Dëshmitarëve të Jehovait në Hamburg në muajin mars, duke vrarë tetë persona.

Ministrja e Brendshme Nancy Faeser kishte thënë pas atij sulmi se qeveria do të rishikonte ligjet e saj të armëve.

Social Demokratët, partia e saj dhe e kancelarit Olaf Scholz, kanë bërë presion për kufizime më të ashpra për të kufizuar numrin e armëve në dispozicion.

Mercedes-Benz prodhon makinën e tij luksoze S-Class në uzinën e Sindelfingen, që ndodhet rreth 17 kilometra në jugperëndim të Shtutgartit.

Vendi i prodhimit, me një fuqi punëtore prej 35,000 personash, u evakuua pas të shtënave, të cilat ndodhën pasi i dyshuari hyri në vend në orën 7:45 të mëngjesit, thanë policia dhe prokurori i Shtutgartit.

Top Channel