Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov tha se Rusia po shqyrton kërkesën e SHBA-së për qasje konsullore ndaj gazetarit të arrestuar të Wall Street Journal, Evan Gershkovich.
Lajmi u bë me dije këtë të martë, nga agjencia shtetërore e lajmeve ruse Ria Novosti.
“Të gjitha kërkesat për vizita konsullore në Gershkovich merren parasysh nga shërbimet përkatëse ruse”– tha Ryabkov i Rusisë, sipas RIA Novosti.
Agjencia shtetërore e lajmeve ruse shton se Moska ka marrë vetëm “presion dhe kërcënime nga Uashingtoni për këtë temë”.
Departamenti Amerikan i Shtetit ende nuk ka komentuar mbi çështjen.
Kujtojmë se, Gershkovich – një shtetas amerikan – u arrestua gjatë marsit në Rusi me akuza për spiunazh, një shenjë kjo e goditjes së Kremlinit ndaj mediave të huaja që pas pushtimit Ukrainës.
Wall Street Journal ka mohuar me forcë akuzat për spiunim kundër gazetarit të saj.
Gerschkovich aktualisht po mbahet në një qendër paraburgimi në burgun famëkeq Lefortovo në Moskë deri më 29 maj. Muajin e kaluar, ai u paraqit në Gjykatën e Qytetit të Moskës për të kërkuar që të gjykohet ndërsa qëndron nën arrest shtëpie dhe jo në burg. Ankesa e tij u refuzua.
Zv. zëdhënësi kryesor i Departamentit të Shtetit të SHBA, Vedant Patel tha muajin e kaluar se Uashingtoni ishte “thellësisht i zhgënjyer” që Moska kishte refuzuar kërkesën e tyre për të vizituar Gershkovich. Refuzimi fillestar i Moskës ishte në hakmarrje ndaj dështimit të Uashingtonit për të siguruar viza për gazetarët rusë nga grupi i ministrit të Jashtëm, Sergej Lavrov kur ai vizitoi Kombet e Bashkuara në prill.
Top Channel