“Kërkonte energji nga KESH-i edhe kur s’kishte nevojë”/ Zyra e Rregullatorit për Energji në Kosovë: Tri arsyet për gjobitjen e KEK-ut me 3.2 mln euro

09/05/2023 14:33

Zyra e Rregullatorit për Energji konstaton se Korporata Energjetike e Kosovës ka blerë energji elektrike nga kompania sllovene “Holding Slovenske Elektrarne” e cila nuk ka licencë të lëshuar nga autoritetet kosovare.

ZRrE-ja bën të ditur për KosovaPress se në përputhje me gjetjet në raportet e Monitorimit, ka vendosur gjobë 3.2 milionë euro për Korporatën Energjetike të Kosovës dhe 439 mijë euro për Operatorin e Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT).

Përveç tregtimit të energjisë me kompani të palicencuara, KEK ka kërkuar energji elektrike nga Shqipëria edhe kur nuk ka pasur nevojë, si dhe ka bërë shitje të energjisë elektrike në kundërshtim me ligjin te KOSTT pёr mbulimin e humbjeve nё 4 komunat veriore.

Megjithatë, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë të thënë të hënën për KosovaPress se ende nuk kanë informata zyrtare për ndëshkimin e dy kompanive publike, të cilat monitorohen nga dikasteri që e udhëheq ajo.

ZRrE nëpërmjet këtij raporti ka konstatuar se përkundër vërejtjeve të dhëna nga rregullatori, KEK ka vazhduar të blejë energji elektrike nga kompania sllovene “Holding Slovenske Elektrarne”, e cila nuk kishte licencë të lëshuar nga autoritetet e kosovare.

Ky tregtim konsiderohet se është njëra ndër arsyet pse ZRRE-ja ka gjobitur KEK-un me 3.2 milionë euro.

Në përputhje me të gjeturat në raportet e Monitorimit, Bordi i ZRrE-së ka shqiptuar gjoba për ndërmarrjet”, thuhet në një përgjigje me shkrim nga ZRrE, duke shtuar se në bazë të Raporteve të Monitorimit kanë gjobitur edhe ndërmjarrje tjera publike për KOSTT-in dhe Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (KEDS); dhe Furnizuesin me Shërbim Universal (KESCO) dhe Hidrocentralin e Ujmanit.

Sipas Raportit të Monitorimit të ZRRE ndaj KEK-ut për vitin 2022, në dhjetor të vitit 2018 KEK-u kishte hapur tender për ‘parakualifikim për aktivitetin e prokurimit – shitjes së energjisë elektrike’ me ç’rast kishte nënshkruar kontrata kornizë me disa kompani ndërkombëtare.

KEK-u me 8 kompanitë që kishte nënshkruar kontrata, njëra prej tyre nuk kishte licencë, kompania “Holding Slovenske Elektrarne” nga Sllovenia.

Lidhur me kёtё, ZRrE thekson në raport se ka reaguar disa herё përmes e-mail-it zyrtar si dhe me shkresё zyrtare, ku ka kërkuar nga KEK-u qё tё veprojë nё pajtim me obligimet ligjore, dhe tё ndaloj aktivitetin e tregtimit tё energjisё elektrike me ndёrrmarje tё pa licencuara.

“Pёr mё tepёr, ZRRE më datё 19.08.2022, ka monitoruar procesin e tregtimit tё energjisё elektrike nё kohё reale, dhe ka vërejtur se pavarësisht vërejtjeve dhe kërkesave tё ZRRE pёr ndalimin e tregtimit tё energjisё elektrike me ndёrrmarje tё palicencuara, KEK ende kryen aktivitetin e tregtimit tё energjisё elektrike nё mos pajtueshmёri me obligimet ligjore”, thuhet në Raportin e Monitorimit.

ZRRE-ja ka konstatuar se tregtimi i energjisë elektrike me kompani të palicencuara bie në kundërshtim me Ligjin për Energji elektrike, si dhe Ligjin për Rregullatorin e Energjisë.

KEK-u ka kërkuar energji nga Shqipëria edhe kur nuk ka pasur nevojë

Në Raportin e Monitorimit për KEK-un, thuhet se kjo kompani ka kërkuar energji elektrike nga Korporate Energjetike e Shqipërisë (KESH), edhe atëherë kur nuk pasur nevojë.

“KEK ka kёrkuar energji nga KESH edhe atёherё kur nuk ka pasur nevojё pёr FSHU dhe energjinё e pranuar nga KESH e ka ofruar nё treg tё lirё. Njё veprim i tillё bie nё kundёrshtim me Nenin 1 tё Marrёveshjes pёr shkёmbim/depozitim tё energjisё elektrike nё mes Korporatёs Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) dhe Korporatёs Energjetike tё Kosovёs”, thuhet në Raport.

Shitja e energjisë elektrike pёr mbulimin e humbjeve tё veriut

Në bazë të këtij Raporti, shkelje tjetër po konsiderohet edhe shitja e energjisё elektrike pёr mbulimin e humbjeve në katër komunat veriore.

“KEK i shet energji elektrike KOSTT për mbulimin e humbjeve në Veri të vendit, nёn kushtet e marrёveshjes pёr mbulimin e humbjeve tё sistemit. Shitja e energjisё elektrike tek KOSTT për mbulimin e humbjeve nё Veri bie nё kundërshtim me procedurën e tregtimit të energjisё elektrike, pasi që nё procedurё pёrcaktohet që tregtimi i energjisё elektrike duhet tё i nënshtrohet tregut të lire dhe konkurrues”, thuhet në Raportin e Monitorimit.

Ndërkohë, Bordi i ZRrE-së në seancën e së premtes pas shqyrtimit përfundimtar të raporteve të monitorimit,  ka vendosur gjobë ne vlerën prej 3.2 milionë euro për Korporatën Energjetike të Kosovës dhe 439 mijë euro për Operatorin e Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT).

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA