Ada ishte 13 vjeçe kur prindërit e saj ngritën padi ndaj një ndërtuesi tek i cili shitën shtëpinë e tyre private, mbasi ai nuk respektoi kontratën midis palëve.
Gjyqet zgjatën aq shumë, saqë Ada përfundoi gjimnazin, shkollën e lartë, shkollën e avokatisë, u martua dhe u bë nënë, dhe tani me një proces që zvarritet ndër dekada ajo ka vetëm një çështje për të zgjidhur, kazusin familjar Sinkron Ada Pasmaciu, avokate.
“Prindërit më merrnin seancave të gjyqit përdore dhe ishin ata që nuk po gjenin shpëtim, kam mbledhur të gjitha forcat për të sakrifikuar për familjen time dhe sot për t’i përfaqësuar.”– tha Ada.
Në revoltë e sipër, diplomë ka kërkuar edhe e ëma Liljana që pa udhëtimin e dosjes në të gjitha gjykatat e tani kthimin sërish në shkallën e parë.
“Unë kam mbaruar liceun artistik për pikturë por sot më keni bërë arkitekte, inxhiniere e sot do të më jepni diplomën e masterit i thashë gjykatësit”- tha Liljana Pasmaciu, paditëse.
Me hartën e re gjykata më e madhe në vend ajo e kryeqytetit, bashkuar me të Krujës po ndeshet me një stok prej 22 mijë çështjesh.
“Kryesisht në çështje civile janë çështje pronësie, kontraktuale, urdhra ekzekutimi ka goxha, janë dosje dhe kërkojnë kohën e vet të punohen dhe i impakton ngarkesë gjyqtarit.”– tha Donald Xhelili kancelar i gjykatës së Tiranës.
Në kushtet e mbingarkesës dhe vakancës së 40 gjyqtarëve, Xhelili bën apel për staf shtesë.
“Kanë kaluar 2-3 gjyqtarë që janë shkarkuar dhe dosja mund të ketë 2-3 vite”– tha Donald Xhelili.
Me implementimin e hartës së re gjyqësore ka ndryshuar edhe emërtimi i tyre që quhen të juridiksionit të përgjithshëm. por problemi mbetet aty i pazgjidhur, mbasi stoku në të gjitha gjykatat ka shkuar në 109 mijë çështje.
Top Channel