Një burrë me një foshnje në krah u paraqit në fundjavë pranë Shtëpisë së Fëmijës në Durrës, duke deklaruar se e gjeti beben në rrugë.
Punonjëset në shërbim pasi i dhanë një biberon me qumësht e orientuan, në bazë të protokollit, që ta dërgojë atë në spitalin e Durrësit për kontroll mjekësor. Pas kësaj, policia nisi menjëherë hetimet nga të cilat rezultoi se foshnja, një vajzë vetëm dymuajshe, ishte lënë nga nëna në anë të rrugës në zonën e Golemit.
Hetimet çuan në identifikimin e nënës së foshnjes, një 22-vjeçare që ndonëse me banim në Tiranë e ka lindur fëmijën në maternitetin e Durrësit. E shpallur në kërkim nga policia e Kavajës për veprën penale të “braktisjes së të miturve”, 22-vjeçarja rome Denada Sula u kap nga shërbimet policore dhe deklaroi se e ka të pamundur të rrisë fëmijën e saj. Top Channel mëson se nëna e re ka një proces të hapur gjyqësor për të njëjtën vepër penale në Gjykatën e Durrësit. Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar ajo braktisi dy fëmijët e saj, përkatësisht një djalë 3 vjeç dhe një vajzë 9-muajshe, në afërsi të gjykatës. Në atë kohë ajo ishte shtatzënë me fëmijën e tretë, që erdhi në jetë nën peshë në maternitetin e Durrësit, për të pasur të njëjtin fat, si motra dhe vëllai i saj.
Foshnja që sot mbush 2 muaj nga ardhja në jetë ndodhet në pediatrinë e spitalit të Durrësit ku po i nënshtrohet analizave të ndryshme shëndetësore dhe më pas me vendim të Shërbimit Social do të kalojë në një banesë të re, në Shtëpinë e Foshnjes.
Gjatë viteve të fundit, braktisja e fëmijëve është një fenomen që ka ardhur në rritje. Vështirësitë ekonomike mbeten faktor kryesor për heqjen dorë nga përgjegjësitë prindërore për rritjen e fëmijëve, por ky është një veprim i dënueshëm nga ligji dhe shoqëria. Kodi ynë penal parashikon dënimin me gjobë, ose burgim gjer në 3 vjet për prindin braktisës dhe në rastet kur braktisja ka sjellë pasoja në shëndetin a jetën e të miturit dënimi shkon deri në 10 vjet burg. Në gjykatën e Durrësit nuk kanë munguar dënimet për këtë vepër penale, vendime që janë dhënë kryesisht për nënat braktisëse.
Top Channel