Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi sot se Ekipi Menaxhues për hartimin e draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe e ka përfunduar misionin dhe funksionin e tij.
Sipas Kurtit, duke qenë se aty bëhet fjalë për Republikën Serbe në Kosovë, nuk ka edhe arsye që të dëgjohet ky ekip, i cili ka dhënë propozimin e tij lidhur me draft-statutin e Asociacionit, më 2 maj në Bruksel. Kreu i qeverisë së Kosovës argumenton se lirimi nga detyra i këtij ekipi është gjëja më e natyrshme dhe e logjikshme.
“Ekipi menaxhues e ka përfunduar edhe misionin edhe funksionin e vet, andaj ne nuk kemi më arsyeje që ta dëgjojmë ekipin menaxhues, i cili gjithë çfarë kishte të thoshte këtë na bëri në Bruksel me datën 2 maj”, tha Kurti.
Për mediet, Kurti bëri të ditur se gjatë këtij muaji pritet të zhvillohet një takim me ndërmjetësit e dialogut, me ç’rast do të shihet se çka do të ndodhë tutje me këtë pikë.
Kurti u shpreh se me 2 maj ka dhënë propozimin e tij, një vizion për atë se si do të duhej të rregullohet Neni 7 i marrëveshjes së arritur, ku flitet për nivelin adekuat të vetëmenaxhimit të komunitetit serb, mirëpo tha se nuk ka marrë vlerësim nga ndërmjetësit.
Ai theksoi se draft vizioni që ka prezantuar është inspiruar nga modeli i Kroacisë dhe se nuk ka për qëllim t’i kontolloj serbët e as të shkelë të drejtat e tyre. Kurti u shpreh se në takimin në Bruksel me datën 2 maj ka prezantuar ndërmjetësve shkeljet e deri tanishme, duke shtuar se marrëveshja është valide dhe se teksti i saj është i pandryshueshëm.
Kujtojmë që, vendimi për lirimin nga detyra e Ekipit Menaxhues për Asociacionin është marrë nga ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
Krasniqi kishte theksuar se pas prezantimit në Bruksel të draftstatutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sipas përgjegjësive që i ishin dhënë Ekipit Menaxhues në marrëveshjet e Brukselit të viteve 2013 dhe 2015, ky ekip tash edhe vetë është pa status.
Më 3 maj Ekipi Menaxhues, në përbërje të Danijela Vujiçiq, Jelena Boloviq, Igor Kalamar dhe Dejan Radojkoviq është liruar nga detyra.
Top Channel