Elbasan/ Dhunoi prindërit dhe u arratis sapo mbërriti policia, në kërkim 34-vjeçari! Mbante kallashnikov në banesë

05/05/2023 18:14

Një 34 vjeçar është shpallur në kërkim pasi ushtroi dhunë ndaj prindërve të tij dhe i kërcënoi ata për jetën,

Pas këtij njoftimi, policia ka shkuar në banesën e kësaj familje në fshatin Shushicë, ku Daniel Gaxhia, i dyshuar me probleme mendore, sapo ka konstatuar mbërritjen e tyre ka dalë nga shtëpia dhe ka mundur të largohet në një terren të vështirë malor.

Gjatë kontrollit të banesës së Gaxhias janë gjetur një armë zjarri kallashnikov, dy pako me dinamit dhe municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Policia po vijon kontrollet për kapjen e  34 vjeçarit. Sipas tyre materialet do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

“Elbasan/ Ndërhyrja në kohë e shërbimeve të Policisë parandalon një ngjarje të mundshme kriminale në familje. Ushtroi dhunë ndaj prindërve të tij dhe i kanosi ata për jetën, shpallet në kërkim 34 vjeçari. Policia sekuestron 1 armë zjarri kallashnikov, 2 pako me dinamit dhe municion luftarak, që dyshohet se i posedonte 34-vjeçari. Shërbimet e Policisë, pas njoftimit se një shtetas kishte dhunuar dhe kanosur për jetën familjarët e tij, kanë organizuar menjëherë punën dhe kanë shkuar në banesën e kësaj familjeje, në fshatin Shushicë. Shtetasi D. G. që kishte dhunuar dhe kanosur për jetën, prindërit e tij, sapo ka konstatuar mbërritjen e shërbimeve të Policisë, ka dalë nga banesa dhe ka mundur të largohet në një terren të vështirë malor, në fshat. Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollet për kapjen e shtetasit D. G. Gjatë kontrollit në banesë, janë gjetur dhe sekuestruar: 1 armë zjarri, 2 pako me lëndë të dyshuar plasëse dinamit, 1 kapsolle detonatore dhe municion luftarak. Vijon puna për kapjen e 34 vjeçarit. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, sipas njoftimit të policisë.

Top Channel