Pas takimit të nivelit të lartë politik mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar thotë se tani është në duar të negociatorëve kryesorë të ecin përpara dhe të fillojnë të hartojnë një statut funksional.
“Presim që ata të takojnë në dy javët e ardhshme dhe të diskutojnë përsëri për këtë proces”, u shpreh zëvendësi i Sekretarit të Shtetit amerikan, i cili kujtoi edhe një herë marrëveshjen e arritur në Ohër, dhe faktin që ajo konsiderohet ligjërisht e detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Diskutuam për zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Dhe zbatimi fillon me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ky ishte me të vërtetë një fokus intensiv diskutimi në kontekstin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE. Elementët e rëndësishëm janë diskutuar dhe tani i takon krye-negociatorëve të ecin përpara dhe të fillojnë të hartojnë një statut të zbatueshëm. Ne presim që në dy javët e ardhshme negociatorët kryesorë të takohen dhe të diskutojnë përsëri këtë proces”, deklaroi ai.
“Ka kaluar vetëm një muaj dhe tani po diskutojmë zbatimin. Pra, kjo, do të thosha, është një nga herët e para që kemi dëgjuar drejtpërdrejt nga Qeveria e Kosovës se cili është versioni i tyre për Asociacionin edhe ata e kanë këtë, dhe Serbia, ka versionin e saj.
Zgjidhja tani është që të dyja palët të takohen në dy javët e ardhshme për të paraqitur përmirësime të mëtejshme në pozicionet e tyre dhe që Bashkimi Europian të vazhdojë të përdorë levën e tij mbresëlënëse dhe kapacitetin e tij mbresëlënës për të bashkuar të dyja palët dhe për të filluar kërkimin e zgjidhjeve kompromisi”, theksoi Escobar.
Top Channel