Njerëzit natyrshëm i gëzohen ardhjes së pranverës, për arsye të ndryshme.

Dita është më e gjatë dhe njerëzit kalojnë më shumë kohë me miqtë dhe familjen.

Në këtë panoramë nuk ka asgjë të keqe, por psikologët kanë vënë re se me rritjen e temperaturave njerëzit bëhen më agresivë dhe më të dhunshëm. Sipas tyre, temperaturat e nxehta janë një sfidë e madhe për trurin e njeriut. Natyrshëm lind pyetja, çfarë ndodh në këtë kohë që i bën njerëzit të humbasin toruan, por edhe mendjen?

Përse bëhemi më gjaknxehtë?

Teoritë e psikologëve për këtë reagim të njeriut ndaj temperaturave të nxehta janë të shumta. Njëra prej tyre bazohet tek fakti se temperaturat e larta dhe pamundësia për tu freskuar rregullisht shkakton parehati dhe shumë stres.

Njeriu e ka në natyrë dëshirën për të pasur kontroll mbi veten, të tjerët, ambientin dhe situatat e ndryshme. Temperaturat nga ana tjetër janë diçka që njeriu nuk i rregullon dot sipas dëshirës. Kësisoj, humbja e kontrollit shkakton zemërim, dhe ky i fundit shpërthen ndaj diçkaje ose dikujt tjetër.

Për shembull, nëse keni ngecur në trafik në pikë të vapës, gjasat janë të larta që të bini pre e zemërimit dhe të acaroheni ndaj të tjerëve.

Zemërimi, mund t’ju shtyjë të merrni vendime të nxituara e të papeshuara mirë, pasojat e të cilave më pas shkaktojnë më shumë zemërim. Faktorë të tjerë që kontribuojnë në përkeqësimin e humorit në stinët e ngrohta janë: mungesa e gjumit si pasojë e vapës dhe dehidratimi.

Ekspertët thonë se njerëzit nuk duhet të marrin asnjë vendim të rëndësishëm për jetën kur moti është  i nxehtë, sepse gjasat janë të larta që do të pendohen më vonë. Nëse bllokoheni në trafik në pikë të vapës, mbani mend që edhe personi para jush që po i bie borisë si i çmendur, po përjeton të njëjtin zemërim, ndaj frenohuni nga çdo reagim i momentit.

Si Të Frenoni Zemërimin

Ekspertët këshillojnë që të hidratoheni sa më shumë. Pini ujë dhe hani sa më shumë fruta, Nëse merrni ilaçe për tensionin e gjakut, do ju duhet të pini shumë më shumë ujë dhe lëngje. Mbi të gjitha, përpiquni të përqendroni energjitë tuaja tek disa aspekte të jetës të cilat janë nën kontrollin tuaj./AgroWeb.org

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA