Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Tiranën, Belind Këlliçi ka deklaruar se fondet për të siguruar transport publik falas për kryeqytetin nuk do të jenë asgjë më shumë sesa taksat e qytetarëve.
I ftuar në “Top Story” me Grida Dumën, Këlliçi thotë se: “Nuk po marr para nga xhepi im, por thjesht taksat e qytetarëve po i destinoj nga një shërbim që nuk ofrohet, apo edhe nga tendera me 99.9% të vlerës, apo nga shpenzime luksi dhe shpenzime operative që ka sot Bashkia e Tiranës, për një shërbim për 200 mijë qytetar në ditë.”
I pyetur për koston e autobusit me qira me të cilin po lëviz gjatë fushatës, Këlliçi shprehet se është diku tek 4 milion lekë të vjetra.
Pjesë nga debati:
Duma: Thua se të janë mohuar fondet ngaqë i janë dhënë PD-së zyrtare, megjithatë Roland Bejko që është kandidati i Partisë Demokratike as që nuk iu afrohet shpenzimeve të tua në stadium, ai autobusi që të vjen me vete…
Këlliçi: Ju e dini shumë mirë që aktivitetin në stadium nuk e kam bërë unë.
Duma: Është aktivitet i koalicionit “Bashkë Fitojmë” të cilit duket qartazi që nuk i mungon financimi.
Këlliçi: Koalicioni “Bashkë Fitojmë” ka drejtuesit e vetë dhe ndër ta nuk është Belindi fitues. Unë nuk kam bërë as aktivitet hapje.
Duma: A kishe nevojë për aktivitet hapje kur hyre me autobus në stadium dhe ishe figura qendrore e asaj hapje?
Këlliçi: Nëse juve iu duket shpenzim marramendës fakti që unë kam marrë për një muaj një miniautobus me qira, ajo është minimalja.
Duma: Po kjo marrja me qira nga cilat fonde vjen?
Këlliçi: Nga donacionet sigurisht.
Duma: Sepse falas nuk ka se je edhe i djathtë…
Këlliçi: Po sigurisht, falas nuk ka, por unë thjesht po bëjë rialokim të fondeve. Nuk po marrë para nga xhepi im, por thjesht taksat e qytetarëve po i destinoj nga një shërbim që nuk ofrohet, apo edhe nga tendera me 99.9% të vlerës, apo nga shpenzime luksi dhe shpenzime operative që ka sot Bashkia e Tiranës, ku 60% e buxhetit të bashkisë shkon për paga, për luks, për mobilim zyrash, për karburant, për makina me qira, për bileta avioni, për kancelari, unë po i marr këto fonde, po i rialokoj për një shërbim për 200 mijë qytetar në ditë.
Duma: Jo, jo… ajo që po bën tani Belind. Ajo që do bësh më pas është çështje programi. Pyes për shpenzimet që po bëni sot?
Këlliçi: Shpenzimet që po bëjë sot janë brenda kuadrit ligjor që kërkon KQZ-ja dhe sigurisht do të pasqyrohen një më një në pasqyrat financiare.
Duma: Sa kushton autobusi me qira? Për kuriozitet më shumë…
Këlliçi: Nuk e di, diku te 4 milionë e pak lekë të vjetra, diçka e tillë. Por duhet ta shoh tek ata që merren me financën, nuk e di…
Duma: PS-ja ka kapur dy pika. Atë të diplomës dhe të qenurit dhëndër. “E kemi dhëndrrin tonë“, thotë PS-ja. Ti ndjehesh mirë, apo…
Këlliçi: Si nuk mund të ndjehesh mirë kur nuk ke asnjë akuzë korrupsioni për veten.
Top Channel