Vendimi i KQZ-së për të hequr posterat elektorale, të cilat nuk kanë shënuar përkatësinë partiake, është i vonuar dhe i pavlerë sipas publicistit Agim Baçi.
I ftuar këtë të mërkurë në “Top Talk”, Baçi u shpreh se tashmë është vonë për të hequr posterat.
“Është me vonesë, sepse efektin ajo e ka bërë. Partia Socialiste ka shumë kohë që i ka nxjerrë këto postera. Për mua është vendimi i vonuar i KQZ-së sepse në momentin kur bën fushatë dhe u premton qytetarëve, nuk mund ta fillosh me kë ti nuk do që të vijë dhe kë ke inat apo duke e bërë fushatë denigruese”.
Duke u ndalur te fushata zgjedhore e Partisë Socialiste, publicisti tha se kryesocialisti Edi Rama nuk u ofron asnjë premtim zgjedhësve.
“Në fakt është në stilin e Ramës, po të shihni togfjalëshin Noc Rroku, zorrë qorre… dhe asnjë premtim për qytetarët. Në fakt, këtu është një lloj zgjuarsie politike sepse nuk ka çfarë t’u ofrojë qytetarëve pas 10 viteve, t’u thotë që do u sjellë ujë dhe do u bëjë rrugë?! Kush e ka penguar? Ka penguar Edi Rama Edi Ramën”.
Sipas Baçit, fushata e Ramës me dajre dhe tallava është degardim. Ai përdor termin ‘fekalizim i komunikimit publik’.
“Rama ka gjetur ose dajren, ose tallavanë. Në gjuhën e komunikimit publik, kjo quhet fekalizim i komunikimit publik, ku e degradon debatin me kushtin e vetëm sepse kjo të jep mundësinë që të mos të të kërkojnë llogari. Dy shtyllat e demokracisë janë dhënie e llogarisë dhe mbajtje e përgjegjësisë.
Rama, duke degraduar debatin publik, nuk jep llogari dhe nuk mban përgjegjësi. Nuk mban përgjegjësi për njerëzit e tij të dënuar, të korruptuar, të akuzuar dhe nën hetim nga SPAK. Nuk mban as përgjegjësi morale që ky i ka zgjedhur këta. Nuk them që ka përgjegjësi penale, por ka përgjegjësi morale. Si ka mundësi që këta njerëz që ti i ke pasur aleatë shkojnë pas hekurave dhe ti nuk mban asnjë përgjegjësi. Në një vend normal, kryeministri do të mbante përgjegjësi. Por duke e dërguar te tallavaja dhe zorra qorre, Rama ka zgjedhur një mënyrë që t’i shmanget llogaridhënies. Dhe Rama ka garanci sepse duartrokitet”.
Top Channel