Në plan ishte biznesi me plehrat sipas modelit BOO. Duke u thirrur në dy VKM në kundërshtim me ligjin, përmes negociimit të fshehtë, për përpunimin e mbetjeve të ngurta urbane ishte përzgjedhur kompania “Albaniabeg ambiente” e Francesco Becchetti.

Inceneratori parashihej të ndërtohej në zonën e Kasharit dhe do të digjte 1.4 milion mbetje urbane të përpunuara (CDR) në vit.

Firma italiane premtonte se punën do ta kryente me kosto zero, me kusht që 39% e kapacitetit të impiantit të përdoret për plehrat e importuara nga Italia. Mesatarisht 1400 ton në ditë. Për ta thjeshtuar, 1400 ton plehra i bie rreth 70 kamionë me dy rimorkio.

Përveç shkeljeve ligjore, meqë as VKM 806 i datës 4.12.2003 nuk lejonte djegien, mediat zbuluan edhe se këshilltari ekonomik i kryeministrit ishte përfaqësues me prokurë i kompanisë “Albaniabeg ambiente”.

Në vend shpërthyen protestat.

Në të njëjtën kohë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, kërkon të përfshihej në vendimmarrje, duke e quajtur “anomali institucionale” lënien anash të bashkisë nga niveli qendror.

Me sloganin “Boll kemi plehrat tona”, Grupimi i Reagimit Qytetar, në të cilin ishin mbledhur shumica e organizatave joqeveritare, kundërshtoi marrëveshjen.

Në protestën masive të 10 qershorit 2004, u hodhën domate e vezë në portretet gjigande të Fatos Nanos dhe Bashkim Finos, të cilët ishin dy mbrojtësit më të mëdhenj të marrëveshjes.

Ndërkaq, OSBE-ja e vlerësoi marrëveshjen në shpërputhje me Konventën e Baselit, e ratifikuar në parlamentin shqiptar më 1999.

Përkundër këtyre, investitori italian ishte i sigurt që projekti do të kalojë në fazën e ndërtimit. Por, ai po gabohej. Projekti mbeti në sirtarët e qeverisë pasi, përveç përballjes me protesta, u kundërshtua edhe brenda kabinetit. Fatos Nano u tërhoq.

Pas humbjes në zgjedhjet e vitit 2005 ai do të jepte dorëheqje edhe nga Partia Socialiste. Kryetar do të bëhej kryebashkiaku që i kishte dalë kundër, Edi Rama.

Pak para fundit të mandatit, qeveria Nano do të provonte ndërtimin në Fier të një grope depozitimi për mbetjet e rrezikshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA