Në nisje të dekadës së shkuar, Shqipëria ishte kthyer në një gropë të madhe mbetjesh. Kishte vetëm dy varreza të ligjshme plehrash, të cilat merrnin edhe jetë njerëzish. Djegia e mbetjeve bëhej në fusha të hapura. Ndërkaq, riciklimi ishte diçka e huaj.
Nisma e parë për menaxhimin e mbetjeve kishte karakter krejtësisht ekonomik dhe aspak mjedisor. Në fillim të viteve 60-të, u vendos parimi i riciklimit dhe ripërdorimit absolut, për të gjitha kategoritë e ambalazheve. Në po atë periudhë u miratuan disa dekrete për mbrojtjen e ujit dhe tokës.
Banaliteti i komunizmit do të ishte fatal për natyrën. Në kongresin e V-të të Partisë Popullore të Shqipërisë objektiv u vendos që për pesë vjet të hapeshin 115 mijë hektarë tokë pune. Partia i kishte shpallur luftë pyjeve.
Mijëra hektarë pyje u prenë. Shteti kreu krim mjedisor.
Pasi u kujtua se ambienti duhej mbrojtur, pushteti komunist miratoi dekretin me numër 5105 “Për mbrojtjen e mjedisit nga ndotja”. Në dy dekada, krijuan komitete dhe inspektorate. Fillimisht nuk bënë gjë. Pastaj nuk kishin çfarë të bënin.
Tatpjeta ekonomike e viteve të 80-ta po e shkatërronte shoqërinë. Rritja ekonomike ishte negative. Borxhi sa një e pesta e ekonomisë.
Shqipëria renditej në grupin e 15 vendeve më të varfra të botës. Ishte koha kur në Shqipëri, slogani më i shpeshtë ishte “bar do hamë dhe parimet e marksizëm leninizmit nuk i shkelim”. Riciklimi mbetej vetëm në letër.
Me një vendim të Këshillit të Ministrave të vitit 1994, plehrat mund të bëheshin edhe më të shumta. Vendimi nr.26 që mbante datë 31.01.1994, vendosi lejimin e importit të mbetjeve jo të rrezikshme. Përmes tij, i hapej rrugë dyndjes së plehrave drejt Shqipërisë. Varfëria që kishte pllakosur vendin i bënte edhe më të rrezikshme vendimet në atë kohë.
Me falimentimin e firmave piramidale, mbi 260 mijë kreditorë kishin humbur të gjitha paratë. Për pasojë, plasi lufta civile, në të cilën u luftua edhe mjedisi. Në mënyra që nuk ishin parë për gjysmë shekulli. Vendi po hynte në mijëvjeçarin e ri gjysmë i shkatërruar dhe pothuaj i pajetueshëm.
Edhe pas 60 vitesh nga nisma e parë, riciklimi vazhdon ende në gjendje të rëndë.
Top Channel