Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj e ka quajtur të papranueshëm draft-statutin e Asociacionit, të propozuar në Bruksel nga ekipi menaxhues, i cili tashmë është shkarkuar nga Qeveria kosovare.
Sipas tij, Asociacioni është një e keqe e trashëguar, por i njëjti duhet të jetë domosdoshmërish në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Andaj, Haradinaj beson Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë një draft-statut për Asociacionin, i cili është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
“Besoj shumë se zgjidhja tani është te amerikanët dhe BE-ja që ata vetë të marrin ndërmjetësimin dhe të propozojnë një draft-statut që është në përputhje me Kushtetutën…Shpresoj shumë sidomos edhe tek amerikanët që ata të marrin përsipër propozimin e një draft-statuti, i cili është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës…Rrjedha e logjikshme është kjo, unë jo se kam informacione por rrjedha e logjikshme është kjo. Besoj se edhe e kanë të shkruar amerikanët dhe evropianët një draft-statut që është në përputhje me Kushtetutën, por është dashur të konsumohet propozimi i parë i komisionit i cili është jo kushtetues”, tha ai.
Ai u shpreh se Kosova e ka të pamundur të pranojë një draft-statut që bie ndesh me Kushtetutën. Gjithashtu bëri të ditur se zgjidhja e vazhdueshmërisë për themelimin e Asociacionit i takon ndërmjetësuesve të dialogut.
“Kosova e ka të pamundur të pranojmë një draft-statut që bie ndesh me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës edhe po të ishte edhe vullnet i kujtdo qoftë. Është ditur herët se si do të jetë rezultati i këtij komisioni, është ditur se çka do të propozon. Në fakt shkarkimi nuk është i vlefshëm pasi ata kanë dhënë produktin, kjo në fakt nuk është shkarkim pasi ata e kanë kryer pjesën e vet të punës. Dalja për këtë është prapë tek ndërmjetësit, meqenëse amerikanët dhe BE-ja janë në dijeni se statuti i Asociacionit nuk mund të jetë jo kushtetues dhe jo ligjor. Pra do të ishte e mirë ndërhyrja e tyre në këtë kohë dhe jo lufta mes palëve”, tha Haradinaj.
Haradinaj është shprehur se zgjidhja se si të vazhdohet tutje për themelimin e Asociacionit i takon ndërmjetësuesve të dialogut. Ai shtoi se përmes nënshkrimit të deklaratës për të zhdukurit, Serbia e pranon faktin se ka ndodhur zhdukja me forcë apo dhunë në Kosovë.
“Besoj se është në rregull deklarata e këtillë. Është e arritura e parë e pranimit të faktit, ku pranohet nga pala serbe, pasi ata supozojnë se ka të zhdukur edhe nga Kosova. Por është hera e parë që serbët e pranojnë faktin se ka ndodhur zhdukja me forcë ose me dhunë. Unë nuk e shoh ndonjë ndryshim në përmbajtje. Në aspektin e të drejtës ndërkombëtare besoj se kjo ua siguron të gjithë palëve mundëson me kërkuar drejtësinë në të ardhmen”, shtoi ai.
Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq në Bruksel nënshkruan deklaratën për të zhdukurit gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ndërkaq, në takimin e tyre është prezantuar edhe draft-statuti i Asociacionit nga ish-ekipi menaxhues, i cili sipas kryeministrit Kurti është i papranueshëm për Kosovën.
Top Channel