Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka mbërritur këtë pasdite në Sarandë, për të analizuar provat lidhur me hetimet për zhdukjen e dy 46-vjeçarëve.

Gjatë paradites, Rrumbullaku priti në zyrën e tij familjarë të dy të zhdukurve, të cilët protestuan para Drejtorisë së Policisë së Shtetit për zbardhjen e ngjarjes dhe gjetjen e Fatmir Sulovarit dhe Leonard Theodhorit.

Familjarët e lidhin ngjarjen me shitjen e një toke, ndërsa policia beson se ngjarja lidhet me konfliktet për trafikun e drogës jo vetëm nisur nga precedentët e të zhdukurve por dhe operacionet antikanabis në Greqi, ku ka pasur të arrestuar edhe shqiptarë.

Policia e Sarandës nëpërmjet hetimeve por edhe kamerave të sigurisë ka kontrolluar banesa e biznese që dyshohet se implikohen në ngjarje. E tillë ishte dhe një banesë në fshatin Nivicë të Himarës që është në emrin e një biznesmeni që merret me shitje apo dhënie me qira të pasurive të paluajtshme. Policia ka dyshime se banesa e 28 vjeçarit Sofokli Baxheri është përdorur nga autorët e dyshuar të zhdukjes së  Fatmir Sulovarit dhe Leonard Theodhorit, por ky i fundit nuk jep asnjë të dhënë në lidhje me faktin se kush e ka përdorur banesën gjatë muajit prill. Për këtë arsye, policia e Sarandës e vuri në pranga për deklarata të rreme dhe veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës.

Në oborrin e banesës në Nivicë policia e Sarandës gjeti një automjet “Benz” që dyshohet se është përdorur për të transportuar të zhdukurit, gjurmët e fundit të të cilëve të çojnë në fshatin Vrinë. Pavarësisht kësaj policia ende nuk e ka një përgjigje zyrtare dhe përfundimtare për fatin e tyre.

Fqinjët e familjes Bazheri shprehen se ai shkonte shpesh në Nivicë. Nga provat material të gjetura policia e Sarandës ka krijuar bindjen se banesa e Sofokli Baxherit ka shërbyer si strehë e një grupi kriminal që jo vetëm fshihen pas rrëmbimit të dy personave, por edhe pas një ngjarje tjetër penale në Sarandë, eksplozivit ndaj banesës së ndërtuesit Afëz Kulla, ngjarje kjo ende pa autor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA