Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u takua me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak gjatë Forumit vjetor të Ekonomisë, të organzuar në Delfi nën patronazhin e presidentes së Greqisë, Katerina Sakellaropoulou.
Biseda e tyre është fokusuar tek takimi i radhës në Bruksel mes shefit te ekzekutivit Kosovar dhe kreut te shtetit serb, Aleksandar Vuçiç në 2 maj. Një ditë më parë, BE konfirmoi axhenden e takimit, ndërsa të dy liderët e kanë vulosur tashmë pjesëmarrjen e tyre. Fjalët e Kurtit në takim duket kanë qenë muzikë për veshet e të derguarit të bllokut europian.
Kryeministri theksoi se marrëveshja bazike duhet të zbatohet e plotë, pa vonesa e pa kushtëzime teksa diskutonin ujditë me të cilat palët u pajtuan në 27 shkurt në Bruksel dhe në 18 mars në Ohër. Kosova po shfaqet kështu më e bindur drejt zbatimit të tyre, ndërsa pengesat sipas saj i nxjerr Serbia.
Kurti bisedoi gjithashtu me Lajçakun edhe për zgjedhjet që u mbajtën në 23 prill në katër komunat në veri të të Kosovës, si dhe për rëndësinë e sigurimit të funksionimit normal të institucioneve shtetërore në shërbim të qytetarëve. Lajcak theksoi më pas përmes një postimi në Twitter rëndësinë e takimit në kuadër të dialogut, më 2 maj.
“Do të jetë një hap kyc përpara”, u shpreh ai, duke kujtuar sesa e rëndësishme është të shmanget çdo veprim që mund të përkeqësojë atmosferën. Të premten, zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, sqaroi se në takimin e ri të nivelit të lartë të dialogut në 2 maj, në rend dite do të jetë miratimi i Deklaratës për të pagjeturit dhe do të paraqitet drafti i parë i statutit për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Top Channel