Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Veri të Kosovës kanë prodhuar edhe një rast të paprecendentë.

Mandatet për Kuvendin Komunal të Leposaviçit nuk plotësohen, pasi Lëvizja Vetëvendosje që fitoi 15 mandate nga këto zgjedhje, i ka tre anëtarë mangët, pasi të njëjtët nuk fituan asnjë votë.

Megjithatë, Vetëvendosje kërkon që mandatet të ndahen edhe për ata kandidatë që morën zero vota.

Kjo ka shkaktuar debat dhe interpretim nga ana e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhje, gjë që rezultoi me vendimin për moscertifikimin e mandateve për Kuvendin Komunal të Leposaviçit.

Dy mandatet e fituara në Kuvendin e Leposaviqit nuk do i pranojë Partia e Serbëve të Kosovës, pasi ata u tërhoqën nga gara kështu kjo asamble numëron pesë kandidatë më pak, nga 19 sa do të duhej të kishte.

Kjo ngre edhe pikëpyetje sa i përket plotësimit të tyre, për ç’ka KQZ duhet të presë për vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, meqë ligji për zgjedhjet lokale dhe ai për vetqeverisjen lokale nuk e kanë paraparë një situatë të tillë.

Por, ligji për vetqeverisjen lokale e qartëson se në rast të humbjes së mandatit nga një asamblistë dhe pamundësisë së KQZ-së për ta zëvendësuar, duhet të shkohet në zgjedhje përsëri për kuvendin komunal.

Megjithatë sipas ligjit për vetqeverisjen lokale parashihet që mbledhja për konstituimin e Kuvendit Komunal dhe Betimin e kryetarit të dalë nga zgjedhjet mund ta bëjnë edhe shumica e thjeshtë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e së premtes ka certifikuar rezultatet dhe mandatet për komunën e Zveçanit dhe po ashtu për kryetar të katër komunave veriore.

Kosova zhvilloi zgjedhjet lokale të dielën e shkuar në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviç, të cilat megjithëse u zhvilluan në masa të rrepta sigurie, u karakterizuan nga pjesëmarrje e ulët.

Pjesëmarrja më e madhe në votime ishte në radhët e komunitetit shqiptar në komunat veriore të Kosovës. Megjithatë, krahasuar me herët e kaluara, as komuniteti shqiptar që është shumicë në disa qendra të votimit nuk e shfrytëzoi sa duhet të drejtën e votës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA