Luhatja e temperaturave me disa gradë mëngjeseve dhe gjatë ditës, ka shtuar numrin e virozave në qarkullim dhe fluksin e pacientëve të vegjël që paraqiten tek mjeku.
“Kemi një fluks të shtuar të virozave që gërshetohen me faktorë të tjerë si alergjitë e pranverës. Në këtë periudhë janë si pasojë e ndryshimit të temperaturave të ambientit me luhatje të madhe mbi 10 gradë”- shprehet Aida Mara, mjeke pediatre.
Femijët e vegjël shfaqin temperaturë të lartë por shpesh virozat e përziera me alergji shkaktojnë dhe vështirësi në frymëmarrje.
“Temperaturat e larta, mund të shoqërohen me anglina, faringite, laringite. Mund të shoqërohen edhe me probleme të egzantemave virale, prushi nëpër trup, ku prindërit bëhen merak se mund të jenë sëmundje infektive”- shton mjekja.
Mjekja pediatre ngre një shqetësim për prindërit e rinj kryesisht, të cilët marrin mjekime nga farmacistët apo dhe antibiotikë, pa konsultë mjeku.
“Të mos shkojmë në farmaci të marrim mjekime nga të ndryshme, ose direkt antibiotik pa u vizituar te mjeku. Antibiotikët në rastet e virozave nuk bëjnë përmirësim, por ulin rezistencën”- shton mjekja.
Edhe pse antibiotiku është i ndaluar të jepet pa recete , shpesh në farmacitë tona kjo nuk respektohet.
Top Channel