“Vrisni përbindëshin” e inflacionit me normat e interesit, FMN i bëri thirrje Bankës Qendrore Evropiane të vazhdojë rritjen e tyre deri në mesin e vitit 2024, dhe kërkoi nga ministrat e Financave të Bashkimit Europian të ashpërsojnë politikat fiskale përmes veprimeve të bashkërenduara.
Kreu i FMN-së për Europën, Alfred Kammer, e pohoi se niveli i lartë i inflacionit përbën një shqetësim shumë të madh.
“Sa i përket politikave që duhen ndjekur, ne rekomandojmë si prioritare mposhtjen e inflacionit, e kjo nënkupton se duhet të përdorim instrumentet e politikës monetare. Për Bankën Qendrore Europiane kjo do të thotë shtrëngim të mëtejshem për një periudhë më të gjatë kohe. Vlerësojmë se kjo linjë duhet ndjekur të paktën deri në mesin e vitit 2024, në mënyrë që inflacioni të ulet deri në 2025-sën”, tha Kammer.
Inflacioni, shtoi Kammer, është një lloj takse që rëndon sidomos mbi të varfrit, e duhet luftuar me çdo kusht. Inflacioni në 20 shtetet që përdorin euron ishte 6.9 për qind në mars – krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak – por, inflacioni bazë, që përjashton luhatjet e mëdha në çmimet e energjisë dhe ushqimit, llogaritej 7.5 për qind.
Për uljen e tij, BQE-ja ka rritur në mënyrë agresive normat e interesit, duke i çuar ato nga zero sa ishin në mesin e vitit 2022, në 3.5 për qind në mars të këtij viti, por tregjet presin që kjo politikë të vazhdojë përtej vitit 2023. Sipas Kammer, ministrat e Financave të BE-së duhet të ndihmojnë Bankën Qendrore Europiane duke reduktuar stimujt fiskalë për ekonominë që ata përdorën gjatë pandemisë COVID-19 dhe vazhduan me aplikimin e tyre gjatë krizës së kostos së jetesës të shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës.
Cmimet e energjisë tani po bien, u shpreh ai, ndaj rekomandojmë që paketat e kostos së jetesës të mos aplikohen më ose të jenë thjesht për kategori të caktuara.
Top Channel