Një 25-vjeçar është arrestuar në Tiranë, pasi ngacmoi seksualisht dy persona.
Nga të dhënat paraprake bëhet me dije se i riu ka ngacmuar seksualisht një 15-vjeçare në ashensorin e pallatit në Tiranë ku ajo banon. Pas kallëzimit të bërë nga shtetasja e mitur, blutë e Tiranës kanë nisur veprimet hetimore nga të cilat rezulton se krahas 15-vjeçares, agresori Xhejson Bregu kishte ngacmuar seksualisht edhe një shtetase të huaj, në parkingun e një qendre tregtare.
Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën 25-vjeçarit, një sasi lënde narkotike të dyshuar kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Xhejson Bregu është proceduar penalisht në gjendje të lirë kohë më parë, pasi akuzohej se ka puthur një 7-vjeçare në oborrin e shkollës.
Ai kishte 3 muaj që kishte ardhur nga Gjermania dhe punonte banakier në një lokal. Pas arrestimit materialet hetimore i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Top Channel