Mbante peng regjistrat e shkollës në shtëpi/ Pas denoncimit në “Fiks Fare”, nis hetimi ndaj mësueses në Bulqizë, procedohet dhe nëndrejtoresha

27/04/2023 10:20

Emisioni investigativ “Fiks Fare” denoncoi dy ditë më parë rastin e një ish-mësueseje zëvendësuese, e cila mbante peng në shtëpi regjistrat e dy klasave të ndryshme të shkollës fillore Gjoricë, pas një “lëmshi” me kontratën e saj të punës.

Bëhet fjalë për Lavdie Xheka, mësuese me kohë të plotë në këtë shkollë për disa vite, e cila së fundmi punonte si zëvendësuese. Menjëherë pas publikimit të rastit në “Fiks Fare”, Policia e Bulqizës kanë nisur veprimet hetimore dhe materialet i referuan në Prokurori për veprën penale “Shpërdorim detyre”, duke proceduar penalisht në gjendje të lirë Lavdie Xhekën 52 vjeçe, dhe nëndrejtoreshën e shkollës E.S., 33 vjeçe, banuese në Bulqizë.

Mësuesja zëvendësuese tha për “Fiks Fare” se kishte shkuar shumë herë edhe në zyrën arsimore Bulqizë, kishte bërë edhe kërkesa por nuk ka marrë përgjigje. Për 5 ditët e punës ndaj saj nuk figuron kontratë apo akt marrëveshje.

 “Kam shkuar shumë herë në zyrën Arsimore Bulqizë, kam bërë dhe kërkesa që të më përgjigjen pse më hoqën pas 5 ditëve dhe të ma shkruajnë në librezë, por ato nuk e bëjnë”, tha Lavdie Xheka për “Fiks Fare”.

Xheka akuzohet se në momente tensioni ka marrë nga ambientet e shkollës regjistrat dhe nuk ka dorëzuar më, duke publikuar më pas rastin në media. Sakaq, nëndrejtoresha e shkollës Gjoricë është proceduar penalisht pasi akuzohet se ka kryer veprime në kundërshtim me ligjin duke mos ruajtur dhe administruar dokumentat zyrtarë (regjistrat) e kësaj shkolle.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Lexo edhe: 

ZVA Bulqizë “lëmsh” kontratën e një mësueseje, nga inati ajo mban peng regjistrat e shkollës

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA