Vetëm dy ditë pas raportit të Organizmit për Bashkëpunimin dhe Zhvillimin që tregoi se pagat në Greqi vërtet u rritën me 1.5% gjatë vitit të kaluar, por në lidhje me inflancionin e lartë prej 9.7%, realisht u reduktuan me 7.4%, rivalët kryesorë në zgjedhjet parlamentare të të 21 majit, vendosin në qendër të premtimeve elektorale, pikërisht masat për ekonominë.
Në prezantimin e programit të Demokracisë së Re kreu i konservatorëve në fuqi, Kyriakos Mitsotakis premtoi rritjen e mëtejshme të pagave , pensioneve dhe uljen e taksave në rast se merr mandatin e dytë.
“Synimi i panegociueshëm: Rritje me 25% të pagave brenda katër viteve, për ta çuar pagën mesatare në 1500 euro. Dhe 950 euro të paktën, pagën minimale.Rritje të reja pensionesh do të kemi nga 3% – 4% nga 1 Janari i 2024. Gjithashtu do të kemi nga kjo datë rritje, pas shumë vitesh, të pagave të nëpunësve ,përmes një paga të re uniforme”, tha Kyriakos Mitsotakis, kryeministër i Greqisë.
Edhe lideri i partisë më të madhe opozitare Aleksis Tsipras fokusohet kryesisht në fjalimet e tij tek reformat ekonomike për të luftuar spekulimin tek shtrenjtësia e energjisë elektrike, karburantit dhe çmimeve të artikujve të shportës ushqimore.
“Çfarë sheh një qytetar i mesëm? E sheh që nuk nxjerr dot muajin , se të ardhurat tkurren . Po lexoja një sondazh të Eurostat-it që thoshte se fuqia blerëse e familjeve me të ardhura deri në 750 euro është ulur me 40%. Por këtu nuk po flasim vetëm për ata që kanë të ardhura 750 euro. Dhe ata që kanë 1200 dhe 1500 dhe 1800 euro nuk mund ta përballojnë këtë shtrenjtësi çmimesh, këtë inflacion të tmerrshëm”, tha Aleksis Tsipras, lideri i Syriza-s.
30 ditë para zgjedhjeve përshtypje ka krijuar fakti se deri në afatin e fundit ,të mërkurën në mbrëmje, deklaruan pjesëmarrjen në zgjedhje tek prokuroria e Gjykatës Supreme, 47 parti politike e koalicione, nga 24 që morën pjesë në zgjedhjet e 2019.
Midis tyre edhe partia e re neonaziste, Grekët, e ish numrit dy të Agimit të Artë Ilias Kasidhiaris,që ndodhet në burg, ndërsa vendimi i gjykatës për sa i përket pjesëmarrjes të këtyre forcave politike do të dalë pas disa ditësh.
Top Channel