Personi në foto është Ruben Saraiva, autori portugez i vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin.
Gazetarja Brixhilda Deda ka siguruar fotot e Saraivas, i cili është njohës i mirë i motorëve. Në fotot e shpërndara në rrjetet sociale, ai ka treguar pasionin për motorët. Por në 19 prill, portugezi nuk doli shëtitje me motor, por u nis me mision drejt lokalit të Nikulajt, ku ekzekutoi shenjestrën dhe u largua sërish me motor. Mjeti, i cili duket qartë nga kamerat e sigurisë në zonë, nuk është gjetur ende nga policia.
Vrasjen, Saraiva e kreu në bashkëpunim me të dyshuarit Edmond Haxhia Done, shtetas shqiptaro- britanik; Harry Simson, shtetas britanik, Harriet Bridgeman, shtetase britanike; Thomas Mithan, shtetas britanik dhe Steven Hunt shtetas britanik.
Sipas informacioneve, Elton dhe Klodian Lestakaj, të cilët jetojnë në Angli, ishin në gjak me Nikulajn. Edmond Haxhia është djali i dajës së tyre dhe dyshohet se ishte ai që porositi vrasësit.
Adrian Nikulaj, biznesmen në Lezhë, ish-kandidat për deputet në zgjedhjet e 2021-shit dhe kandidat për Këshill Bashkiak në zgjedhjet e 14 majit të këtij viti u vra me pistoletë nga një person i maskuar në ambientet e biznesit të tij Coral rreth orës 13:30 në 19 prill.
Top Channel