16 varre janë të zbrazëta në Kompleksin Memorial të Mejes edhe kur kanë kaluar 24 vjet që kur u krye masakra.
Në mesin e varreve të 23 fëmijëve e burrave të Familjes Beqaj është edhe një hapësirë e zbrazët e lënë për eshtrat e Mentorit 17 vjeçar që u nda nga familja ditën e 27 prillit të 1999-ës.
“Ma mërzi është për Mentorin se ai nuk ka dalë, se këtyre bile ua dimë varrin edhe ma lehtë”, tha Agron Beqaj – familjar i të zhdukurve.
Malli veç sa rritet për Beqajt që çdo përvjetor vijnë në Meje e nuk dinë gjë për fatin e familjarit të tyre. Ata kërkojnë punë më shumë nga institucionet, që të paktën të kenë ku ta qajnë Mentorin.
“Presim prej Qeverisë, megjithëse kjo qeveri ka premtu që do të bëjë më shumë, por deri tash kurrgjë“, shtoi më tej Agron Beqaj – familjar i të zhdukurve.
Më 27 prill 1999 në Meje policia serbe dëboi nga shtëpitë të gjithë shqiptarës e zonës së Rekës së Keqe dhe Lugut të Carragojës. Ata u urdhëruan të niseshin për Shqipëri, derisa të gjithë meshkujt me dhunë u ndalën pikërisht në vendin që tash njihet si Lëndina e Pikëllimit ku edhe u ekzekutuan 377 prej tyre, në mesin e të cilëve edhe fëmijë 14 vjeçar.
Kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca kujtoi 36 fëmijët që 24 vjet më parë u vranë prej paramilitarëve.
“Vazhdimisht i bëjmë thirrje drejtësisë asaj ndërkombëtare dhe vendore që të kryejnë punën e vet”, tha Glauk Konjufca – Kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Më 2 maj, në agjendën e takimit të Brukselit është edhe Deklarata e Përbashkët për të pagjeturit, çka Kryeministri Albin Kurti pret të kthehet në marrëveshje, por që ka dyshime.
“Shenjat nuk janë të mira për konstruktivitet kur dimë që pikërisht në Batajnicë në varrezën masive, ku nuk ka asnjë pllakë ose shënim që aty ka pasur varrezë masive, organizohen parada ushtarake”, tha Albin Kurti – Kryeministër i Kosovës.
Nga lufta në Kosovë rezultojnë të zhdukur 1617 persona.
Top Channel