Përfaqësuesi i SHBA-së në Këshillin e Sigurimit, Jeffrey DeLaurentisn ka deklaruar se në takimin e 2 majit në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç në Bruksel, do të diskutohet edhe për hapat e mëtutjeshëm të formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

DeLaurentis në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, tha se SHBA inkurajon Kosovën dhe Serbinë që të lëvizin me shpejtësi për zbatimin e zotimeve të tyre dhe të shmangin krizat që mund të pengojnë progresin.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të jenë të përkushtuara për stabilitet në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht gjatë kësaj kohe të tensioneve në Evropë. Jemi duke punuar me partnerët evropian për paqe dhe shoqëri multi-etnike dhe sundimit të ligjit në Ballkanin Perëndimor,….Shprehim lëvdata për Kosovën dhe Serbinë për marrëveshjet në Bruksel dhe Ohër, si dhe i inkurajojmë Kosovën dhe Serbinë që të lëvizin me shpejtësi për zbatimin e zotimeve të tyre dhe të shmangin krizat që mund të pengojnë progresin. Shpresojmë që të shohim më shumë nga kjo frymë e re në takimin në mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë më datën dy maj. Pjesë e rëndësishme e këtij takimi do të jetë formimi, hapat e mëtutjeshëm të formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në mënyrë që është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës”, tha ai, duke shtuar se mandati i OKB-së nuk është më i nevojshëm.

Përfaqësuesi i përhershëm i Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha reagoi për mos lejimin e ministres Donika Gërvalla që të flas në gjuhën shqipe, duke thënë se kjo është kundër rregullave të OKB-së.

“Dy anëtarë të këshillit e mbështetën kërkesën e Kosovës për të folur në gjuhën e tyre dhe siç e dimë dhe rregulla 44 flet që përfaqësuesi duhet të flet në gjuhën e tyre dhe Këshilli i Sigurimit duhet të ofrojnë përkthimin për ato gjuhë. Rusia si kryesuese e kundërshtojë, e keni edhe me shkrim. Nuk ishim të lumtur dhe mendoj që presidenca nuk ishte e pa anshme në rolin e saj dhe kjo shkon kundër rregullit dhe frymës së OKB-së”, tha ai.

Ai përmendi pranimin e kërkesës së Kosovës për Këshillin e Evropës, si dhe u ndal te dialogu Kosovë-Serbi, konkretisht edhe tek marrëveshja e Ohrit.

Teksti qartas thotë se asnjëra palë nuk do ta pengoj njëra-tjetrën në sferën ndërkombëtare dhe kjo është shumë më rëndësi, Serbia nuk do ta kundërshtoj anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Ky është neni 4. Isha shumë i befasuar me deklaratën e ministrit Daçiç i cili tha të kundërtën“, tha ai.

Sa i përket gjuhës ka reaguar edhe presidenti i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ambasadori i Rusisë në OKB, Vasily Nebenzia, i cili lexoi rregullin 44.

“Ministrja Gërvalla nuk i takon kategorisë së përfaqësuesit….Kjo nuk ka të bëjë me diskriminim të gjuhës shqipe. Unë jam referuar ku ka pasur prezantime në gjuhë të tjera por ato përjashtime janë bërë për ata që nuk e kanë folur asnjë gjuhë zyrtare të Këshillit të Sigurimit, në rastin e zonjës Gërvalla do të ishte e njëjta, asaj do t’i jepej mundësi të flas edhe në gjuhën shqipe por e njeh gjuhën angleze fare mirë”, tha ai.

Atij i reagoi përfaqësuesi i SHBA-së në Këshillin e Sigurimit, Jeffrey DeLaurentisn, duke i thënë se sqarimi i përfaqësuesit të Shqipërisë, ishte i duhur. E rusi Nebenzia i tha se tanimë dihet qëndrimi i SHBA-ve për çështjet që lidhen me Kosovën.

Përfaqësuesja e Francës tha se janë të kënaqur me përkushtimin e Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve dhe arritjen e marrëveshjeve në Bruksel dhe Ohër.

Sipas saj, Franca pret përkushtim nga të dyja palët drejt integrimeve evropiane dhe ftoi të dyja palët që të përmbahen nga gjuha fyese.

Përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar përshëndeti përpjekjet e Qeverisë për luftën ndaj korrupsionit, duke thënë se mbështesin rezolutën 1244 por kushtet në terren janë të papranueshme që nga viti 99 dhe koha tregon që nevojitet një rishikim të statusit të UNMIK-ut dhe përshtatjet në terren.

Ai shtoi se Kosova dhe Serbia duhet të angazhohen për themelimin e Asociacionit dhe krijimin e kushteve të sigurisë për udhëheqësit e rijnë në veri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA