26 prilli shënon përvjetorin e katastrofës bërthamore të vitit 1986 në Çernobili të Ukrainës. Kjo është fatkeqësia më e madhe e një centrali bërthamor në histori.
Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Lesia Bakaletes njofton nga Varshava se ekspertët thonë se katër centrale bërthamore rrezikohen për shkak të agresionit në Ukrainë. Por centrali bërthamor më i rrezikuar, i cili ndodhet në Zaporizhia, është nën kontrollin e forcave ruse për më shumë se një vit.
Marsin e kaluar, forcat ruse morën nën kontroll centralin bërthamor Zaporizha të Ukrainës. Ekspertët thonë se që nga ajo kohë centrali ka funksionuar në kundërshtim me standartet e sigurisë. Zëri i Amerikës bisedoi me anëtarin e bordit të Shoqatës Evropiane Bërthamore, Powel Gajda.
“Si rezultat i agresionit rus, është e pamundur të respektohen të gjitha standartet e sigurisë që kërkohen normalisht në centralin bërthamor”.
Enti rregullator i Ukrainës për centralet bërthamore, “Energoatom” thotë se predhat ruse kanë dëmtuan infrastrukturën e centralit.
“Sistemet dhe siguria degradojnë dhe mirëmbajtja nuk bëhet në kohë. Pajisjet mund të dështojnë në çdo moment”, thotë Olga Kosharna, eksperte e sigurisë bërthamore me Shoqatën Bërthamore të Ukrainës.
Dëshmitarët okularë thonë se në oborrin e centralit ka pajisje ushtarake ruse.
“Rusë të armatosur vendosën diktatin mbi stacionin bërthamor. Ata morën kontrollin e objektit, perimetrin e sigurisë dhe dislokuan pajisjet e tyre ushtarake, tanke, autoblinda dhe ushtarë”.
Oleg Dudar drejtonte divizionin e operacioneve të centralit. Ai punoi për gjashtë muaj ndërsa centrali ndodhej nën pushtuesit rusë dhe më pas vendosi të largohej.
“Ata që nuk janë të pranishëm në central nuk mund ta imagjinojnë se sa e rëndë është situtata aty, madje as unë që qëndrova për disa muaj”.
Të gjashtë raktorët e centralit bërthamor janë mbyllur që nga shtatori. Çka do të thotë se shkalla e fatkeqësisë së mundshme është ulur, thotë Mark Zheleznyak, profesor në Institutin e Radioaktivitetit Mjedisor në Universitetin Fukushima.
“Nuk mund të ketë një shpërthim të madh sepse reaktorët nuk po punojnë. Dy qytete pranë centralit rrezikohen më së shumti. Është qyteti Enderhodar ku jetojnë kryesisht ata që punojnë në central. Qyteti tjetër është Nikopoli, rreth 15 kilometra larg centralit bërthamor”.
Agjencia Kombëtare e Polonisë për Energjinë Atomike thotë se ndërsa është ulur shkalla e kërcënimit, centrali ka nevojë për energji elektrike për të ftohur reaktorët. Deri tani centrali ka patur gjashtë ndërprerje energjie, e fundit në mars. Kjo ndodhi për shkak të bombardimeve ruse, thotë rregullatori ukrainas, Energoatom.
“Elektriciteti është i nevojshëm për të vënë në funksionim pompat me ujë për ftohjen e reaktorëve. Nëse nuk qarkullon uji për ftohjen e reaktotëve, temperaturat mund të rriten deri në shkrirjen e bërthamës dhe lëndës djegëse bërthamore e cila lëshon izotope radioaktive”, thotë Marcin Dabrowski, me Agjencinë Kombëtare të Energjisë Atomike të Polonisë.
Misioni i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike ka qenë në central që nga shtatori, ndërsa njoftoi në prill se bombardimet dhe shpërthimet mund të dëgjoheshin pranë centralit. Drejtori i përgjithshëm i IAEA (Rafael Mariano Grossi) e quajti situatën në terren “të rrezikshme” dhe u zotua të vazhdojë të bëjë trysni për mbrojtjen e centralit bërthamor.
Top Channel