Singapori ka ekzekutuar një burrë për trafikimin e kanabisit, pavarësisht lutjeve për mëshirë nga familja e tij, aktivistët dhe Kombet e Bashkuara.
Tangaraju Suppiah, 46 vjeç, u var në mëngjesin e sotëm pasi u kap duke kontrabanduar 1 kg kanabis. Aktivistët thanë se ai ishte dënuar për prova të dobëta dhe kishte akses të kufizuar ligjor gjatë ndjekjes penale, por autoritetet e Singaporit thanë se atij i ishte dhënë një gjykim i drejtë.
Singapori ka disa nga ligjet më të ashpra kundër drogës në botë me argumentin se këto janë një parandalues i domosdoshëm ndaj krimit të drogës, i cili është një çështje kryesore kudo në Azinë Juglindore.
Të mërkurën, familja e Tangaraju Suppiah u mblodh në burgun Changi pranë aeroportit të qytetit në lindje për të marrë trupin e tij.
“Familja tha se nuk do të hiqnin dorë nga ai deri në fund”, tha aktivistja kundër dënimit me vdekje Kirsten Han për BBC.
Vitin e kaluar Singapori vari 11 persona, të gjithë të akuzuar për drogë, duke përfshirë një burrë me aftësi të kufizuara intelektuale, i dënuar për trafikim të tre lugë gjelle heroinë.
Ligjet e rrepta të kombit për drogën dhe përdorimi i dënimit me vdekje e vënë atë gjithnjë e më shumë në kundërshtim me kombet e përparuara dhe të tjerët në rajon, thonë aktivistët.
Malajzia fqinje e Singaporit hoqi dënimet e detyrueshme me vdekje në fillim të këtij muaji, duke thënë se kjo nuk ishte një pengesë efektive për krimin.
Top Channel