Norvegjia nuk e priti mirë lëshimin e një rakete kërkimore suedeze e cila nuk funksionoi siç duhet, e ra brenda territorit të saj.
Raketa e nisura nga Sweden Space Corp, SSC nga qendra hapësinore Esrange në veri të Suedisë, arriti një lartësi prej 250 kilometrash ku eksperimentet u kryen në gravitetin zero. Pas kësaj, ajo ra në tokë 40 km larg zonës së planifikuar së rrëzimit dhe vetëm 10 kilometra nga vendbanimi më i afërt.
Askush nuk u lëndua, e nuk pati as dëme materiale, por Oslo u ankua për situatën dhe faktin që autoritetet suedezë nuk e njoftuan në kohë për lëshimin.
SSC kërkoi ndjesë për incidentin.
Kreu i komunikimeve të saj, Philip Ohlsson, tha se po e marrin çeshtjen shumë seriozisht dhe po verifikojnë arsyet e devijimit të raketës. Por edhe pse qendra pretendon se autoritetet e të dyja vendeve u kontaktuan menjëherë pas episodi, ministria e jashtme norvegjeze pretendon se nuk u informua siç duhet as për vendin ku duhet të binte raketa, as për rekuperimin apo ngarkesën e saj.
Ajo foli për shkelje të kufirit, e theksoi se kur ndodh një gjë e tillë, është thelbësore që “autoritetet norvegjeze të njoftohen përmes kanaleve të duhura”.
“Puna në territorin norvegjez për të shpëtuar çdo mbetje të pajisjes kërkon gjithashtu pëlqimin paraprak”, nënvizohej në njoftim.
Raketa, e njohur si Texus-58, është pjesë e një program europian të mbikqyrur nga Agjencia Europiane e Hapësirës.
Top Channel