Organizata Botërore e Shëndetësisë po vijon të vlerësojë rrezikun për kërcënimin që i kanoset popullit sudanez pasi njëra nga palët në konflikt mori nën kontroll një bio-laborator që përmban viruse vdekjeprurëse në Khartum.
Ata raportuan se vijon puna për të vlerësuar kërcënimet në shëndetin publik, pasi në atë laborator ndodhen patogjenët e lisë dhe kolerës.
Drejtori i urgjencave të OBSH-së, Michael Ryan, deklaroi se ekipet janë në terren për të informuar qytetarët rreth rrezikut që mund të vijë nëse situata agravon më tej.
“Ne duam të sigurohemi që njerëzit të dinë rreziqet për veten e tyre. Dhe ne do të përpiqemi të vazhdojmë t’i komunikojmë ato rreziqe. Por siç thashë, ekipi në terren dhe me ekipet tona të bio-riskut dhe bio-sigurisë këtu, po kryejnë një vlerësim të gjerë të rrezikut në të mirë të aftësitë tona”, tha Michael Ryan – Drejtor i Emergjencave të OBSH-së.
Një ditë më parë pas njoftimit OBSH-ja paralajmëroi se rreziku është shumë i lartë, ndërsa e kanë të pamundur hyrjen në Laboratorin Kombëtar për Shëndetin Publik.
Situata në Sudan sa vjen dhe rëndohet pas shpërthimit të konfliktit midis Forcave të Armatosura sudaneze dhe grupeve paraushtarake të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë më 15 prill.
Deri më tani të paktën 459 persona janë vrarë dhe mijëra të tjerë janë plagosur, ndërsa po vijon puna intensive për evakuimin e personave të rrezikuar.
Top Channel