Kaos në Sudan/ Rrezik shpërthimi biologjik, arratiset i dënuari për krime lufte

26/04/2023 09:19

Mes kaosit të krijuar në Sudan, Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi për një “rrezik të lartë biologjik” nga një laborator i pushtuar gjatë luftimeve të këtyre ditëve.

Zyrtarët ende nuk e kanë të qartë se kush qëndron pas marrjes së Laboratorit Kombëtar të Shëndetit Publik në kryeqytetin Kartum. Punëtorët nuk mund të hyjnë më në laborator dhe paralajmëroi se ndërprerjet e energjisë elektrike janë duke e bërë të pamundur menaxhimin e duhur të materialeve biologjike dhe kimike që ruhen atje. Objekti mban patogjenët e fruthit dhe kolerës, si dhe materiale të tjera të rrezikshme.

Por mes rrëmujës, mbërrijnë njoftime edhe për arratisje nga burgjet, e një prej personave të larguar është një ish politikan sudanez i dyshuar për krime kundër njerëzimit. Ahmad Harun ishte në mesin e personave që mbaheshin në burgun Kober ku përballeshin me akuzat e Gjykatës Ndërkombëtare Penale. Deri tani ndërkohë, armëpushimi mes dy fraksioneve ushtarake që kanë shkaktuar peshtjellim në vend, po mban duke lejuar evakuimet ne masë, edhe pse dyshime të mëdha rrethojnë angazhimin e palëve për paqe afatgjatë.

Që kur ka nisur dhuna, banorët e kryeqytetit sudanez, Kartum, janë udhëzuar që të qëndrojnë në shtëpi, teksa ushqimet dhe furnizimet e tjera janë pakësuar. Bombardimet kanë goditur infrastrukturën kyçe, sikurse tubacionet e ujit, që nënkupton se disa persona janë detyruar që të përdorin ujin e lumit Nil për pije.

Pas njoftimit për armëpushim u rrit shpresa se civilët do të mund të largohen nga kryeqyteti. Qeveritë e huaja po ashtu shpresojnë se armëpushimi do të mundësojë vazhdimin e evakuimeve të shtetasve të tyre nga Sudani. Shtetet e huaja nxituan që të evakuonin diplomatët dhe civilët në kohën kur luftimet në kryeqytet u intensifikuan.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA