Teksa shumica kanë zgjedhur të dorëzohen, Mark Ndrej nga fshati Simon nuk e mendon jetën e tij larg kësaj toke. Këtu ka rindërtuar edhe shtëpinë e të parëve.

“Nuk e kam menduar asnjëherë me ik, duke qenë se është fshat i mirë, me tradita, një fshat që është gati fushor, pavarësisht se një pjesë janë detyru më ik, më shumë për shkak të rrugës. Ne nga shteti nuk kemi kërku punë, vetëm rrugën duam se ne kemi çarë vetë”, u shpreh banori i fshatit Kaçinar Mark Ndrej.

“Fshatin nuk do ta lëmë asnjë prej banorëve që jemi këtu, nuk na mungon asgjë. Pse të ikim? Të shkojmë të futemi në asfalt, në beton”, tha Mark Ndrej.

Edhe Bardhok Marku nga Kaçinari ka qëndruar pasi ka shpresuar se ky vend i begatë, ku madje vitet e fundit ka filluar të bëjnë prodhim edhe ullinjtë, nuk do të braktiset. Ai thotë se kësaj zone i jep jetë vetëm rruga.

“Jetën e këtij fshati do ta ndryshonte rruga. Po bën rrugën, brenda dy vitesh ka plot emigrantë që mund të kthehen dhe të investojnë. Këtu është një tokë prodhuese që i ban të tana bimët. Unë kam vresht rrushin, kam mbjell ullinj….këtu mungon vetëm rruga, pushteti këtu ka vënë dorë 11 vjet më parë, absolutisht asnjë tjetër”, tha banori i fshatit Simon, Bardhok Marku.

Të izoluar dhe të lidhur vetëm me tokën dhe ajo çka marrin prej saj, banorët e kësaj zone apelojnë për më shumë vëmendje, në mënyrë që të mos detyrohen edhe ata ta lënë këtë vend.

“Politikanët vijnë vetëm kur ka votime, vijnë na lanë një dorë me rrena dhe ikin. Ata i realizojnë punët e veta, ne, ata se ata mbetemi këtu”, u shpreh Mark Ndrej.

“Nëse nuk vihet dorë për 3-4 vite ky fshat kaq i bukur do të shpërbëhet, edhe unë do të detyrohem sepse do të heq dorë nga investimi im, i babës, i gjyshit”, tha Bardhok Marku.

Janë këta jerëz që nuk pranojnë të dorëzohen, nga të cilët, Dom Gjergj Meta, thotë se merr motivim.
“Më motivojnë ata mu. Ata më thonë ne Dom Gjergj, sa të kemi frymë ne do të jetojmë këtu”, tha Dom Gjergji.

“Sfida ime është të vij dhe do të vazhdoj të vij edhe sikur të mbetet edhe një njeri i vetëm. Ata më thonë po na braktise edhe ti ne kemi marrë fund, por unë këtë mision kam. Do të vij deri në fund”, u shpreh Dom Gjergji.

Kur thuajse të gjithë ëndërrojnë të ikin, a ka ndonjë mënyrë për ta dashur këtë vend…?

“Të punojmë të gjithë bashkë dhe të mendojmë se njerëzit e këtij vendi meritojnë të jetojnë në vendin e tyre sepse kemi një vend të bukur. E dyta të kesh këtë logjikën për me jetu tokën sepse shumë dynden për me jetu në kutija, për me jetu në beton por jo me jetu tokën, per me jetu ajrin”, tha Dom Gjergji.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA