Lideri i opozitës ruse, Alexei Navalny megjithëse i burgosur, po hetohet me akuza për terrorizëm që dyshohet se ka kryer nga burgu.
Akuzat e fundit mund ta bëjnë atë të dënohet me 30 vjet burg shtesë. Seanca e mbajtur ndaj tij në një gjykatë rrethi rus, fillon sot. Detajet e akuzës për terrorizëm nuk dihen.
Kritiku i Kremlinit po vuan tashmë 11 vjet e gjysmë burg me akuza që përfshijnë mashtrimin dhe shpërfilljen e gjykatës. Në komentet e publikuara në Twitter nga ndihmësit e liderit të opozitës, ai i quajti akuzat “absurde”.
“Ata kanë paraqitur akuza absurde që më kërcënojnë me 30 vjet burg… se unë, ndërsa jam në burg, kryej akte terroriste”, tha Navalny.
Kritiku i Putinit aktualisht po mbahet në një burg të sigurisë maksimale IK-6 në Melekhovo, rreth 115 milje në lindje të Moskës. Hetuesit rusë thanë se 11 persona janë vënë gjithashtu në një “listë të kërkuar ndërkombëtar” në lidhje me një rast të lidhur me zotin Navalny.
Në fillim të këtij muaji, zëdhënësi i Navalny rrëfeu se kishte dyshime që po helmohej ngadalë, pasi humbi 8 kg në peshë në pak më shumë se dy javë ndërsa ishte në burg.
Kira Yarmysh tha se kishte dhimbje të papritura në stomak pasi mjekët e burgut e kishin trajtuar në të kaluarën me injeksione ilaçesh të cilat nuk kishin pranuar ti identifikonin. Kremlini e ka mohuar gjithmonë përpjekjen për të vrarë Navalnyn.
Vlen të theksohet se në të shkuarën, Navalny e ka quajtur pushtimin rus të Ukrainës “idiotesk” dhe “të ndërtuar mbi gënjeshtra”, ndërsa u bëri thirrje bashkëqytetarëve të organizojnë protesta të përditshme. Që atëherë, grupet e tij të fushatës janë ndaluar nga Rusia dhe në fillim të këtij muaji, hetuesit rusë i lidhën zyrtarisht mbështetësit e Navalnyt me vrasjen e blogerit ushtarak, Vladlen Tatarsky, i cili ishte një mbështetës i fushatës së Rusisë në Ukrainë.
Ata kanë mohuar çdo lidhje me vdekjen e Tatarskyt, i cili u vra nga një bombë në Shën Petersburg.
Top Channel