Megjithëse kontrollet vijojnë prej 19 prillit në zonën e Gjadrit, policia ende nuk ka mundur të gjejë motorin e përdorur nga vrasësi i biznesmenit Ardian Nikulaj, dhe as ka arritur të shpjegojë me prova ligjore se si ka vijuar lëvizja e tij më tej.
Nga ana tjetër hetime intensive po kryen edhe për të zbuluar persona të tjerë të implikuar në vrasje si porositës, vëzhgues apo bashkëpunëtorë.
Nga vëzhgimi i imtësishëm i pamjeve të kamerave të sigurisë ka rezultuar se ekzekutori I biznesmenit Ardian Nikulaj ka mbërritur pranë vendit të ngjarjes 8 orë para vrasjes. Gjatë kësaj kohe ai ka qëndruar në një pallat në ndërtim nga ku ka dalë vetëm pasi është njoftuar se ishin krijuar kushtet e përshtatshme për kryerjen e ekzekutimit në lokalin ‘Coral’.
Ky pallat në ndërtim e sipër ku qëndroi i fshehur vrasësi është rreth 100 metra larg vendit ku ndodhi vrasja. Autori i maskuar me jelek fosforeshent dhe skafandër dyshohet se u njoftua që objektivi i tij ishte i vetëm në tavolinë dhe kreu ekzekutimin. Ndër personat e dyshuar si bashkëpunëtor është një anglez i prezantuar si turist. Në kamerat e pallatit në ndërtim i cili shfrytëzohet vetëm në katin përdhes për parkim shfaqet për disa minuta dhe turisti anglez, por policia nuk është e bindur nëse është realizuar një takim mes tij dhe vrasësit që ka qëndruar 8 orë në atë godinë.
Dyshimet e policisë shtohen edhe për faktin se gjatë 5 ditëve të qëndrimit të tij në Shëngjin, turisti ka qëndruar me kapele dhe ka qenë i kujdesshëm për të mos lënë pas gjurmë të tij. Ai ka arritur deri aty sa ka mbledhur edhe bishtat e cigareve që konsumonte. Policia shqiptare është në pritje të të dhënave nga homologët anglez në lidhje me personin që dyshohet si bashkëpunëtor i cili u u largua nga Rinasi drejt atdheut të tij vetëm pak orë pas vrasjes.
Top Channel