Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, lidhur me konfliktin në Sudan tha se “Problemi në Sudan nuk mund të zgjidhet në fushën e betejës”.
Në seancën e mbajtur për Sudanin në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Guterres tha se përleshjet në Sudan duhet të përfundojnë urgjentisht dhe u bëri thirrje të gjitha palëve në konflikt për “heshtjen e armëve”.
Ai shtoi se liderët në Sudan duhet të kenë në plan të parë interesat e popullit. “Ky problem nuk mund të zgjidhet dhe nuk duhet të zgjidhet në fushën e betejës me trupat e pajetë të popullit të Sudanit”, theksoi Guterres.
Guterres paralajmëroi se lufta për pushtet në Sudan nuk rrezikon vetëm të ardhmen e vendit, por mund të nxisë edhe konfliktin përtej kufirit. Ai tërhoqi vëmendjen se në një situatë të tillë do të humbasë përparimi i shënuar për dhjetëra vite dhe se mund të shkaktojë dhimbje serioze.
Pasi nënvizoi se palët duhet të zbatojnë armëpushimin 72 orësh të siguruar nga SHBA-ja, Guterres u bëri thirrje të gjitha vendeve anëtare të tregojnë përpjekje për uljen e tensioneve dhe për rikthim në tryezën e negociatave.
“Palët nuk janë të gatshëm të ulen në tryezën e negociatave”
Përfaqësuesi i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Sudanin, Volker Perthes njoftoi se armëpushimi 72 orësh po zbatohet në kuptimin e përgjithshëm por që kohë pas kohe shfaqen përleshje.
Duke tërhequr vëmendjen se palët akuzojnë njëra-tjetrën me shkelje të armëpushimit, Perthes tha se në Port Sudan janë transportuar rreth 1.200 persona, përfshirë edhe personelin e OKB-së prej 744 personash.
“Palët konfliktohen duke injoruar ligjet dhe vlerat. Zonat ku ndodhen civilë, spitalet dhe të moshuarit janë vënë në objektiv dhe se këto mund të jenë krim lufte dhe krim kundër njerëzimit”, tha ai.
Pasi bëri të ditur se palët nuk janë të gatshme të ulen në tryezën e negociatave, Perthes theksoi se që të dy palët besojnë se mund të arrijnë një fitore ushtarake dhe kjo është një përllogaritje e gabuar.
Përleshjet në Sudan
Mëngjesin e 15 prillit në kryeqytetin Khartoum dhe në qytete tjera të Sudanit filluan përleshje të armatosura mes ushtrisë sudaneze dhe Forcave paramilitare të Mbështetjes së Shpejtë.
Mosmarrëveshja e përjetuar prej disa muajsh mes ushtrisë dhe Forcave paramilitare të Mbështetjes së Shpejtë për çështjen e reformës së sigurisë ushtarake që parashikon pjesëmarrjen e plotë të Forcës së Mbështetjes së Shpejtë në ushtri, u shndërrua në një konflikt të nxehtë mes dy forcave, shkruan AA.
Ministria e Jashtme sudaneze njoftoi se gjenerali Abdel Fattah al-Burhan, kreu i Këshillit të Sovranitetit dhe komandant i ushtrisë ka vendosur shpërbërjen e Forcave paramilitare të Mbështetjes së Shpejtë që konfliktohen me ushtrinë, shpalljen e saj si forcë rebele kundër shtetit dhe se do të veprohej sipas këtij parimi, transmeton ATSh.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka njoftuar se në përleshjet që vazhdojnë që prej 15 prillit në kryeqytetin Khartoum dhe qytete të tjera kanë humbur jetën 459 persona ndërsa 4.071 të tjerë janë plagosur.
Top Channel