“Don’t talk about Sex”: Italia i druhet edukimit seksual

26/04/2023 08:13

16 herë është provuar, por çdo herë ka dështuar: Italia është një nga nëntë vendet anëtare të BE-së ku edukimi seksual nuk është i detyrueshëm. Çfarë do të thotë kjo për rininë e vendit?

“Fëmijët dhe të rinjtë kërkojnë gjithnjë e më shumë në internet për të marrë përgjigje për pyetjet që kanë,” thotë Antonio Pellai. Ai është psikoterapist për fëmijët dhe të rinjtë dhe merret me studime në qendrën biomedicinale të Universitetit të Milanos.

Edukimi seksual nuk është ende me detyrim pjesë e planit mësimor të shkollave të Italisë. Që prej vitit 1975 janë bërë disa herë përpjekje që edukimi seksual të futet në gjithë vendin. Por Italia vazhdon të qëndrojë në të njëjtën linjë me Bullgarinë, Poloninë, Rumaninë, Lituaninë, Hungarinë, Sllovakinë, Kroacinë dhe Spanjën, ku të rinjtë nuk marrin në çdo shkollë edukim seksual. Rajonet italiane vendosin vetë nëse duan të financojnë projekte për edukim seksual dhe futjen e tyre në shkolla.

Edukim seksual nga interneti

Eksperti Pellai shqetësohet, sepse të rinjtë informohen për çështjet seksuale duke i marrë informacionet nga internet. Sepse krah informacioneve të gabuara dhe gjysmë të vërteta për praktikat dhe sëmundjet seksuale, rrezik përbën edhe pornografia, sidomos për të rinjtë: “Prezantimet e çështjeve seksuale në internet janë shumë të dhunshme dhe shpesh kanë karakter racist dhe pedofil. Kjo shkakton kaos dhe pasiguri për çështjet seksuale, si dhe probleme të tjera të cilat të rinjtë duhet t’i luftojnë.”

Në Itali, po ashtu si dhe në pjesët e tjera të Europës janë përhapur sërish sëmundjet seksuale. Janë shtuar sidomos infektimet me chlamydien por edhe rastet e sifilisit. Për psikoterapisten Maria Cristina Florini, kryetare e qendrës italiane për seksologji, rëndësi nuk ka vetëm informimi për çështjet seksuale dhe shëndetin, por edhe diskutimi për këtë temë. “Mësuesit duhet të japin gjatë gjithë vitit mësime për edukimin seksual. Meqenëse ata i njohim mirë nxënësit, mund të flasin me ta ndryshe nga të tjerët.”

“Një karakter jozyrtar është i rëndësishëm për të qenë në gjendje që të flitet hapur për këtë temë, thotë seksologia. Por për këtë gjë nuk duhet vetëm detyrimi, por edhe specializimi i duhur mësuesve. Kështu nxënësit mund të mësojnë të marrin përgjegjësi për vete dhe të tjerët në lidhje me shëndetin seksual.

E domosdoshme futja menjëherë e lëndës së edukatës seksuale

Qendra për seksologji e Cristina Florinit, ashtu si shumë organizata të tjera, është munduar që të bindë qeverinë për rëndësinë e edukimit seksual. Edhe Pellai mendon se Italisë i duhet urgjentisht një koncept për edukimin seksual, i cili të përshtatet me botën digjitale.

Stefania Ascari, nga Lëvizja pesë yjet, ka bërë përpjekjen e 16-të që nga viti 1975, që ta bëjë edukatimin seksual të detyrueshëm për të gjitha shkollat. Edhe nisma për të nxjerrë një ligj në vitin 2021 nuk pati sukses. Tani kjo temë ka rënë në duart e ministrit aktual të arsimit, Giuseppe Valditara, anëtar i partisë populiste të djathtë, Lega. Ky politikan ka qëndrime kundër “propagandës gjinore” dhe kërkon forcimin e rolit të prindërve në rritjen e fëmijëve.

Partia Lega është në pushtet që prej gjashtë muajsh, së bashku me të djathtët ekstrem “Vëllazëria e Italisë” dhe konservatorët e Forza Italia-s. Programi i kryeministres shumë të djathtë, Giorgia Meloni ka në plan të parë rritjen e numrit të lindjeve dhe nxitjen e “familjes së natyrshme” sipas kuptimit kristian. Me këtë Meloni ka parasysh vetëm familjen me burrin dhe gruan.

“Nuk shoh të ketë ndonjë debat për edukimin seksual në nivel kombëtar, prej të cilit të mund të krijohet një koncept për të mposhtur këtë sfidë arsimore”, thotë studiuesi Pellai.

Politikanët kërkojnë ndryshime 

Megjithatë ka politikanë që vazhdojnë të kërkojnë që mësimi i edukatës seksuale të bëhet i detyrueshëm. Tre anëtarë të Këshillit të qytetit të Romës, kanë nisur vitin e kaluar një nismë për mbledhjen e nënshkrimeve. Edhe anëtarja e Këshillit të qytetit, Eva Vittoria Cammerino e përkrah këtë nismë që mendohet të zgjerohet në nivel kombëtar. “Prezenca e kishës është e padiskutueshme dhe sjell në fakt një mënyrë patriarkale të menduari që e vë rolin e gruas në vend të dytë,”thotë ajo në një intervistë për median feministe online, Freeda.

Edukimi i pamjaftueshëm seksual i fëmijëve dhe të rinjve në Itali, forcon diskriminimin, seksizmin dhe homofobinë, por edhe dhunën kundër grave. Ndërkohë që studimet japin vetëm me përqindje përgjigje nëse lënda e edukatës seksuale në shkolla çon në rënien e sëmundjeve seksuale dhe shtatzanisë së padëshirueshme, shkenca është dakord në një pikë: që edukata seksuale jo vetëm që nxit sjelljen e shëndetshme seksuale të të rinjve, por shton edhe dijet për seksin dhe shëndetin./ DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA