Detaje të reja kanë dalë në dritë nga vrasja e biznesmenit Ardian Nikulajt.
Në vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj policia ka zbuluar se janë përfshirë 6 persona. Nga analizimi i provave policia ka arritur të gjejë identitetin e ekzekutorit.
Megjithëse kontrollet vijojnë prej 19 prillit në zonën e Gjadrit, policia ende nuk ka mundur të gjejë motorin e përdorur nga vrasësi i biznesmenit Ardian Nikulaj, dhe as ka arritur të shpjegojë me prova ligjore se si ka vijuar lëvizja e tij më tej.
Në një banesë në fshatin Gjadër policia gjeti pjesërisht të djegura disa veshje që dyshohet se janë të ekzekutorit të biznesmenit. Ato po ekzaminohen në laboratorin shkencor.
Nga ana tjetër hetime intensive po kryen edhe për të zbuluar persona të tjerë të implikuar në vrasje si porositës, vëzhgues apo bashkëpunëtorë.
Nga vëzhgimi i imtësishëm i pamjeve të kamerave të sigurisë ka rezultuar se ekzekutori I biznesmenit Ardian Nikulaj ka mbërritur pranë vendit të ngjarjes 8 orë para vrasjes. Gjatë kësaj kohe ai ka qëndruar në një pallat në ndërtim nga ku ka dalë vetëm pasi është njoftuar se ishin krijuar kushtet e përshtatshme për kryerjen e ekzekutimit në lokalin ‘Coral’.
Ky pallat në ndërtim e sipër ku qëndroi i fshehur vrasësi është rreth 100 metra larg vendit ku ndodhi vrasja. Autori i maskuar me jelek fosforeshent dhe skafandër dyshohet se u njoftua që objektivi i tij ishte i vetëm në tavolinë dhe kreu ekzekutimin. Ndër personat e dyshuar si bashkëpunëtor është një anglez i prezantuar si turist. Në kamerat e pallatit në ndërtim i cili shfrytëzohet vetëm në katin përdhes për parkim shfaqet për disa minuta dhe turisti anglez, por policia nuk është e bindur nëse është realizuar një takim mes tij dhe vrasësit që ka qëndruar 8 orë në atë godinë.
Dyshimet e policisë shtohen edhe për faktin se gjatë 5 ditëve të qëndrimit të tij në Shëngjin, turisti ka qëndruar me kapele dhe ka qenë i kujdesshëm për të mos lënë pas gjurmë të tij. Ai ka arritur deri aty sa ka mbledhur edhe bishtat e cigareve që konsumonte. Policia shqiptare është në pritje të të dhënave nga homologët anglez në lidhje me personin që dyshohet si bashkëpunëtor i cili u largua nga Rinasi drejt atdheut të tij vetëm pak orë pas vrasjes.
Si ndodhi ngjarja e rëndë?
Adrian Nikulaj, biznesmen në Lezhë, ish kandidat për deputet në zgjedhjet e 2021-shit dhe kandidat për Këshill Bashkiak në zgjedhjet e 14 majit të këtij viti u vra me pistoletë nga një person i maskuar në ambientet e biznesit të tij Coral rreth orës 13:30 në 19 prill.
Autori mban një maskë, skafandër, jelek fosforeshent dhe i kamufluar me veshje të trasha, opasi kryen vrasjen me pistoletë në një disatancë shumë të afërt dhe i vetëm u largua qetësisht me motor nga vendngjarja. Viktima po konsumonte kafen e tij të fundit në lokalin e tij në Shëngjin, kur autori e ka qëlluar shtatë herë me pistoletë në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit.
Nikulaj ishte kandidat për deputet nën siglën e Partisë Socialdemokrate në zgjedhjet e vitit 2021. Ndërsa në zgjedhjet që pritet të mbahen më 14 maj ai ishte kandidat për Këshillin Bashkiak. Viktima rezulton i arrestuar më herët për armëmbajtje pa leje dhe kontrabandë e falsifikim.
Konkretisht në vitin 2003 ai është dënuar me katër muaj burg për armëmbajtje pa leje, kurse në vitin 2006 ka marrë gjobë për kontrabandë dhe falsifikim dokumentesh.
Qarku i Lezhës ka precedentë në krime që prekin personazhe të përfshira në procesin zgjedhor. Qershorin e vitit 2013 si pasojë e të shtënave nga armët e zjarrit, mbeti i vdekur në vend 49-vjeçari Gjon Gjoni, i cilësuar si simpatizant i LSI.
Në këtë breshëri armësh mbetën të plagosur edhe dy persona të tjerë, kandidati i PD-së, Mhill Fufi njëkohësisht edhe nënkryetar i qarkut si dhe i afërmi i tij Kastriot Fufi.
Top Channel