A i trembet Shqipëria Serbisë në BE? Rama intervistë për mediat italiane: Ballkani Perëndimor duhet të jetë i bashkuar

26/04/2023 17:03

Kryeministri Edi Rama, ka dhënë një intervistë së fundmi për emisionin italian “Porta a Porta”, ku është pyetur mbi mundësinë e futjes së Serbisë në BE. 

Kreu i qeverisë është shprehur që është mirë që Ballkani Perëndimor të jetë i bashkuar dhe në lidhje me afrimin e Serbisë me Rusinë, ai tha se Serbia nuk e ka sanksionuar Rusinë për arsye të qarta që në një moment duhet kuptuar se ato janë arsye të natyrës politike dhe historike, por edhe të natyrës pragmatike.

Vittoriana Abate: A i frikësohet Shqipëria një zgjerimi të mundshëm të Bashkimit Europian që përfshin Serbinë, në një kohë kur Serbinë e shohim shumë pranë Rusisë?

Edi Rama: Jo, jo vetëm që nuk i trembemi kësaj, por jemi një zë mjaftueshëm i dalluar në Ballkanin Perëndimor që thotë se duhet ta mbajmë Serbinë shumë pranë dhe duhet të bëjmë gjithçka që të jemi të bashkuar politikisht. Nga ana tjetër, sigurisht që ka dallime sepse Serbia nuk e ka sanksionuar Rusinë për arsye të qarta që në një moment duhet kuptuar se ato janë arsye të natyrës politike dhe historike, por edhe të natyrës pragmatike.

Vittoriana Abate: Cili është ndikimi i luftës në Ukrainë në Ballkan dhe në veçanti në Shqipëri?

Edi Rama: Ne duhet të bëjmë gjithçka për të shmangur që pasioni luftarak, le të themi, të mos na përfshijë edhe ne në krijimin e mosmarrëveshjeve mes vendeve anëtare të NATO-s dhe pro NATO-s në Ballkan dhe mes Serbisë dhe komuniteteve që i përkasin një bote sllavo-ortodokse, që është e lidhur ngushtë me Rusinë.

Vittoriana Abate: A mund të mendohet një Bashkim Europian që përfshin Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit pa Serbinë?

Edi Rama: Jo, për mendimin tim jo.

Vittoriana Abate: Çfarë skenari mund të imagjinoni në këtë fazë të konfliktit?

Edi Rama: Mundësia më e madhe është që ky është një nga konfliktet e ashtuquajtura të ngrira, por me një dimension mjaft mbresëlënës që mund të marrë peng jo vetëm Rusinë dhe Ukrainën, por të gjithë botën për një periudhë të gjatë kohore. Dhe, nëse rusët kanë qenë gjithmonë luftëtarë mjaft të ashpër, ukrainasit janë të njëjtë. Kështu të thuash që këtu mund të vendoset pa ata, më duket mjaft e vështirë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA