Të rinjtë këshilltarë të PS deklaratë para Institutit “Harry Fultz”: Qytetarët e Tiranës duan të dinë, a ka zoti Këlliçi diplomë gjimnazi apo jo?

25/04/2023 15:00

Një grup të rinjsh përfaqësues të këshilltarëve socialistë të Bashkisë së Tiranës mbajtën sot një deklaratë përpara Institutit “Harry Fultz”, pas akuzave të fundit në media se kandidati i koalicionit Berisha-Meta, Belind Këlliçi, nuk ka një diplomë të shkollës së mesme.

Këshilltarët socialist deklaruan se Këlliçi iu detyrohet qytetarëve të Tiranës që t’i përgjigjet pyetjes: A ka një diplomë të shkollës së mesme nga “Harry Fultz”?

Deklarata e plotë e Këshilltarëve të PS:

Ky është gjimnazi Harry Fultz, të cilin kandidati Këlliçi thotë se ka përfunduar. Mediat kanë nxjerrë një seri dokumentesh, ku tregohet se kandidati Këlliçi nuk e ka një diplome të kësaj shkolle. Këlliçi ka folur për këtë çështje, por s’ka adresuar asnjëherë thelbin e saj. Mediat nuk kanë ngritur pikëpyetje nëse Këlliçi ka qenë nxënës i mirë, apo i dobët, as nuk kanë ngritur shqetësim nëse u pranua në universitet për aftësi akademike apo aftësi tenisi?

Pyetja që ne drejtojmë është fare e thjeshtë: A ka zoti Këlliçi një diplomë të shkollës së mesme nga Harry Fultz?

Për djemtë dhe vajzat e qytetit, për të aplikuar për arsimin e lartë si kriter bazë kërkohet diploma e shkollës së mesme, atëherë pse për një kandidat për kryetar bashkie s’vlen e njëjta gjë?

Qytetarët e Tiranës duan dhe kanë të drejtë të dinë, a ka zoti Këlliçi një diplomë gjimnazi apo jo?

Top Channel