Megjithëse qytetet evropiane kanë marrë masa, ende ndotja e ajrit është shumë e lartë, kjo dëmton më së shumti minorenët, sipas të dhënave të Agjencisë së BE për Mjedisin.

Disa qytete kanë përmirësime të dukshme. Ndotja e lartë e ajrit si psh. me grimcat e ngurta çon sipas një studimi të Agjencisë së BE për Mjedisin, EEA në një vdekje të parakohshme të më shumë se 1200 fëmijëve dhe të rinjve në BE dhe vende si Zvicra, Norvegjia, Isalnda, Lichtenshtajni e Turqia. Përveç kësaj ajo rrit rrezikun për sëmundje të tjera të mëvonshme në jetë, sipa raportit të BE.

Autorët e studimit kërkojnë të bëhet me shumë për mbrojtjen e fëmijëve nga pasojat negative të ndotjes së ajrit, deklaroi autoriteti i BE, që e ka selinë në Kopenhagë. Megjithë përmirësimet në vitet e kaluara ende ndotja me lëndë të ndryshme në shumë vende mbetet mbi vlerat e lejuara të përcaktuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, sidomos në Europën Lindore-Qendrore dhe Itali.

Rrugë e gjatë

Arsyeja kryesore për ndotjen me grimcat e imta të ngurta është djegia e lëndëve si qymyri për ngrohjen dhe tek industria. Krahas vlerave  të larta të grimcave ndotëse, problematike mbeten edhe vlerat e larta të ozonit dhe dioksidit të azotit, sipas Agjencisë së BE. Nga këto vlera rrezikohen sidomos fëmijët sepse organet e tyre dhe sistemi imunitar janë ende në zhvillim e sipër. Drejtori ekzekutiv i EEA,  Hans Bruyninckx tha se, të gjitë europianët duhet të mbrohen nga ndotja, por në radhë të parë fëmijët. Ai kërkoi me urgjencë forcimin e masave në nivel kombëtar dhe lokal “për të mbrojtur fëmijët tanë, që nuk mund të mbrojnë veten”. Është një rrugë e gjatë deri tek ajri vërtet i pastër, ka theksuar Hans Bruyninckx.

Reduktimi i ndotjes në burimin e vet

“Ne nuk mund t’i trajtojmë fëmijët si të rritur të vegjël, kur bëhet fjalë për rreziqe mjedisore dhe ndotje të ajrit”, është shprehur një ekspert i EEA-së, Gerardo Sanchez. Ata kanë ndër të tjera një frekuencë më të lartë të frymëmarrjes, marrin frymë më shumë përmes gojës, dhe kanë një peshë më të vogël. Biologjia e tyre është ndryshe, por edhe mënyra se si ata janë të ekspozuar ndaj ndotjes së mjedisit. Potencialisht kjo mund të sjellë rreziqe të mëdha, me pasoja të rënda për shëndetin.

Për të mbrojtur fëmijët duhet të reduktojmë ndotjen e ajrit në burimin e saj, në trafik, tek industria dhe tek ngrohja, ka thënë Sanchez. Një masë e mirë është kujdesi për cilësinë e ajrit rreth shkollave e kopshteve, përmes shtimit të hapësirave të gjelbra.

Disa qytete në Europë ia kanë dalë megjithatë të përmirsojnë ndjeshëm cilësinë e ajrit. Qytetet me ajrin më të pastër në Europë -matur kjo në shkallën e ndotjes së grimcave – janë Faro në Portugali dhe Umeå dhe Upsala në Suedi, sipas një krahasimi mes 375 qyteteve europiane. Gjermania ndodhet në nivelin mesatar përsa i përket ndotjes me grimcat, kurse për shkak të trafikut të madh rrugor ka vlerat më të larta në drejtim të ndotjes me dioksidin e azotit. /DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA