Prej muajit dhjetor, Ministria e Punëve të Brendshme angleze Home Office ka vënë në veprim operacionin e koduar ‘Bridora’, fokusuar totalisht në dëbimin drejt Shqipërisë përmes avionëve të posaçëm çarter të atyre që ndodhen ilegalisht në shtetin ishull.

Ambasada e Britanisë së Madhe në Tiranë shpërndau një deklaratë të përbashkët mes Shqipërisë-Mbretëri e Bashkuar, mbi punën e agjencive ligjzbatuese për të adresuar problemin e migracionit të paligjshëm.

Thelbi i kësaj deklaratë është se që nga nënshkrimi i Komunikatës mes kryeministrit Rishi Sunak dhe homologut shqiptar Edi Rama, mbi 1 000 shtetas shqiptarë pa leje të rregullt qëndrimi konform rregullave të emigracionit në Angli janë kthyer në Shqipëri.

Deklarata e plotë:

Në vijim të Komunikatës së Përbashkët mes Kryeministrave të Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, për të frenuar emigracionin e paligjshëm, skuadrat policore të Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë kanë intensifikuar punën operacionale për të adresuar migracionin e paligjshëm, veçanërisht kalimet me varka drejt Anglisë.

Autoritetet shqiptare dhe britanike po punojnë së bashku për të parandaluar hyrjen dhe qëndrimin e paligjshëm të emigrantëve ilegalë në Britaninë e Madhe. Që nga nënshkrimi i Komunikatës, mbi 1 000 shtetas shqiptarë janë kthyer në Shqipëri. Këto të dhëna përfshijnë shtetas që kanë depozituar kërkesa të pabazuara azili, shkelës të ligjit, si dhe kthime vullnetare, për periudhën nga 13 dhjetori i vitit 2022 deri në javën e parë të prillit 2023.

Ekipet operacionale të Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar kanë ngritur një Task Forcë të Përbashkët për Migracionin, e cila shërben si pika kyçe për të koordinuar masat dhe veprimet e posaçme operacionale për menaxhimin e migrimit të paligjshëm të shtetasve shqiptarë drejt Britanisë së Madhe. Këtu përfshihen kontrolle të përforcuara për kriteret e lëvizjes së lirë në të gjitha Pikat e Kalimit Kufitar në të gjithë vendin, verifikime shtesë për shtetasit shqiptarë që konstatohen se ndodhen ilegalisht në territorin e Britanisë së Madhe, si dhe shkëmbimin e oficerëve të lartë të policisë në të dyja vendet.

Drejtuesi i Policisë Kufitare dhe Migracionit, në Policinë e Shtetit, Saimir Boshnjaku u shpreh: “Po punojmë krah për krah me kolegët britanikë, në kuadër të Task Forcës së Përbashkët për Migracionit, për të parandaluar migrimin e parregullt drejt Mbretërisë së Bashkuar, si dhe krimet që lidhen me to. Policia Kufitare dhe Migracionit iu bën thirrje të gjithë qytetarëve të ndjekin rrugën e ligjshme të migrimit dhe thekson se të gjithë personat që thyejnë ligjin do të përballen me pasojat”.

Drejtori i Përgjithshëm për Çështjet e Migracionit në Mbretërinë e Bashkuar, Tony Eastaugh, tha: “Shifrat janë dëshmi se partneriteti ynë me Qeverinë Shqiptare për të përshpejtuar largimin e atyre që nuk kanë të drejtë ligjore të qëndrojnë në Britani, po funksionon. Teksa ne i intensifikojmë më tej këto masa, shtetasit shqiptarë që hyjnë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe nuk kanë të drejtë të qëndrojnë këtu, nuk duhet të kenë asnjë iluzion, pasi do t’i largojmë me rastin më të parë”.

Në vitin 2022 ka pasur 1 888 kthime të shtetasve shqiptarë, nga të cilët 954 prej tyre (51%) janë kthime të detyruara dhe 934 (49 %) kthime vullnetare;

Në vitin 2023, nga janari deri në mars janë kthyer 795 shtetas shqiptarë. Prej tyre, 389 shtetas (49%) ishin kthime të detyrueshme dhe 406 shtetas (51%) janë riatdhesime vullnetare. Rritja e kthimeve vullnetare është një tendencë në rritje dhe shpresëdhënëse dhe është 90% më e lartë se në vitin 2021 (kur ishin 492 kthime vullnetare). Operacionet e riatdhesimit do të vijojnë.

Policia e Kufirit dhe Migracionit në Policinë Shqiptare dhe Ministria e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar do të vazhdojnë punën për të adresuar problemin e migracionit të paligjshëm, fenomen që pengon seriozisht zhvillimin e vendit dhe sigurinë e qytetarëve, si dhe nxit kriminalitetin, shfrytëzimin apo forma të tjera të paligjshmërisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA