Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, njoftoi zyrtarisht pjesëmarrjen në zgjedhjet presidenciale të 2024-tës.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë kërkon rizgjedhjen për të përfunduar, siç tha, “punën që nisa”. Presidenti i 46-të i SHBA-së, tregoi gjithashtu se cilat do të jenë shtyllat e fushatës së tij: e drejtat e abortit, mbrojtja e demokracisë, të drejtat e votimit dhe siguria sociale. Njoftimin, ai e bëri përmes një videoje promovuese.
“Çdo gjeneratë e amerikanëve është përballur me një moment kur janë dashur të mbrojnë demokracinë, të ngrihen për të drejtat e tyre personale, të ngrihen për të drejtat e votimit dhe të drejtat civile. Ky është momenti ynë”, tha Biden.
Ndryshe nga slogani i fushatës zgjedhore të vitit 2020, kur Biden i mëshoi idesë së amerikanët ishin “në betejë për shpirtin” e kombit, slogani për zgjedhjet e vitit 2024 është: “Ta çojmë deri në fund atë që kemi nisur!”
Kamala Harris njoftoi në të njëjtën kohë kandidaturën e saj për zv/president.
Nëse rizgjidhet, Biden do të jetë 86 vjeç në fundin e mandatit të dytë presidencial. Ai pritet të përballet me një garë të lehtë brenda partisë së tij, pasi nuk ka rivalë seriozë në mesin e Partisë Demokratike. Por detyrën për të mbajtur mandatin presidencial, nuk e ka të lehtë. Situata ka ndryshuar ndjeshëm në krahasim me katër vjet më parë.
Shtetet e Bashkuara ende përballen me pandeminë që mori 1.1 milionë jetë njerëzish dhe inflacionin që ka mbërritur maja historike. Amerikanët janë thellësisht të për;arë, ndërsa me shqetësim demokratët shohin rikandidimin e ish presidentit republikan Donald Trump, të cilit Biden ia rrëmbeu fitoren në 2020-tën.
Top Channel