Gjykata e Apelit hodhi poshtë kërkesën e dy të akuzuarve, Agron Manuka dhe Imer Losha, të arrestuar dy vite më parë me lëndë plasëse në makinë dhe la në fuqi dënimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë.
Manuka është dënuar me 10 vite burg, kurse Losha me tetë vite për akuzën “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Të pandehurit kërkonin deklarimin e pafajshëm për veprën penale për të cilën akuzohen.
Ata u arrestuan në 23.11.2021 rreth orës 22:00, ndërsa udhëtonin në rrugën nacionale Lezhë-Milot, pranë kryqëzimit me rrugën e vjetër për në Rubik.
NJOFTIM PER MEDIA
Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:
Më datë 23.11.2021 rreth orës 22:00, Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë në bazë të informacionit të marrë në rrugë operative, sipas të cilit dy persona lëviznin me një automjet, në të cilin kishte lende plasëse, i cili ndodhej në rrugën nacionale Lezhë-Milot, rruga e vjetër, pranë kryqëzimit me rrugën e vjeter për në Rrubik. Shërbimet policore në zbatim të planit të masave kanë bërë ndalimin dhe kanë ushtruar kontroll në mjetin tip benz. Gjatë kontrollit të mjetit në sediljen e parë është gjetur një çante sportive, në të cilën ishin 30 cope cilindra me lende eksploziv, kapsolla detonatore elektrike, si dhe dy aparate celular të lidhur me përcjellësa elektrik, gati për t’u montuar në minë me telekomandë, në mjet u gjenden shtetasit me iniciale A.M dhe I.L.
Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lezhë, është zhvilluar gjykimi lidhur me çështjen penale që i përket të pandehurve me iniciale A.M dhe I.L, të akuzuar për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 25 dhe 278/2 të Kodit Penal.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë me vendimin nr. 391, datë 30.11.2022 ka vendosur:
1.Deklarimin fajtor të të pandehurit A.M për kryerjen e veprës penale “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, parashikuar nga neni 278/2-25 i K.Penal dhe dënimin e tij me 10 ( dhjetë) vite burgim.
2. Deklarimin fajtor të të pandehurit I.L për kryerjen e veprës penale “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, parashikuar nga neni 278/2-25 i K.Penal dhe dënimin e tij me 8 ( tetë) vite burgim.
Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimeve bërë nga:
– I pandehuri me iniciale I.L, i cili kërkoi deklarimin e pafajshëm për veprën penale për të cilën akuzohet.
– I pandehuri me iniciale A.M, i cili kërkoi prishjen e vendimit objekt ankimi dhe deklarimin e pafajshëm pasi fakti nuk parashikohet si vepër penale.
Në përfundim të gjykimit, më datë 25.04.2023, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relatore Gjyqtare znj. Vojsava Osmanaj dhe anëtare znj. Valdete Hoxha dhe znj. Lutfije Celami, vendosi:
– Lënien në fuqi të vendimit nr. 391, datë 30.11.2022, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë.
Tiranë, 25.04.2023
GJYKATA E APELIT TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM
Top Channel