“Gëzim në Kosovë, ankesa në Serbi”, me këtë fjali mund të përmblidhen reagimet pas kalimit të fazës së parë të Kosovës në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Europës.
Komiteti Ministror i KiE-së vendosi t’i japë dritën jeshile kërkesës së Prishtinës gati një vit pasi ajo paraqiti dëshirën për tu bërë pjesë e mekanizmit 46 vendesh.
Në njoftim u tha se vendimi mori parasysh edhe marrëveshjen e Brukselit të 27 shkurtit 2023 dhe marrëveshjen e Ohrit të 18 marsit 2023 të arritura në dialogun Kosovë – Serbi e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe rëndësinë që të gjitha palët t’i zbatojnë ato në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim.
“Falënderoj nga zemra të gjithë ata që na mbështetën në rrugën tonë deri këtu. Një falënderim i posaçëm iu shkon të gjithë atyre shteteve, të cilat edhe pse nuk e kanë njohur formalisht Republikën e Kosovës, nuk e kanë bllokuar anëtarësimin tonë”, shkroi ministrja kosovare e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.
Reagime pati edhe nga kryeministri Albin Kurti i cili e cilësoi këtë si një sukses, dhe presidentja Vjosa Osmani që gjithashtu falenderoi aleatët të cilët votuan pro. Kërkesa e Kosovës u miratua me 33 vota pro, shtatë kundër dhe pesë abstenime. Veprimi që çuditi më shumë ishte ai i Hungarisë së udhëhequr nga Viktor Orban, shtet ky që e ka njohur shtetësinë e Kosovës, ishte befasia e kësaj ngjarjeje.
Përpos Hungarisë kundër votuan edhe Spanja, Rumania, Qipro, Gjeorgjia, Azerbajxhani e Serbia. Greqia, Sllovakia, Ukraina e Bosnja abstenuan, ndërsa Armenia nuk mori pjesë fare në votim. Kërkesa tani i kalon Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, që do të diskutojë mbështetur në analizat dhe njoftimet e raportuesve të Këshillit të Evropës, para se ta hedh kërkesën për votim në seancë plenare.
Nëse kërkesa mbështetet nga dy të tretat e vendeve anëtare atëherë i rekomandohet Komitetit të Ministrave që t’i bëjë ftesë Kosovës të bëhet anëtare e organizatës.
Top Channel