Qeverisë së Republikës së Kosovës ka lëshuar edhe një deklaratë në lidhje me zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat veriore të Kosovës, ku ka theksuar se fushata kërcënuese e orkestruara nga Beogradi zyrtar e ekzekutuar përmes frikësimit, presionit dhe shantazhit nga instrumentet kriminale në terren ndikuan në dalje të ulët të qytetarëve në këto zgjedhje.
Qeveria në këtë deklaratë vlerëson se zgjedhjet e djeshme ishin të qeta, paqësore dhe pa incidente.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Policia e Kosovës ishin në krye të detyrës në organizimin dhe ofrimin e kushteve të përshtatshme për ushtrimin e të drejtës për votë. Fushata kërcënuese e orkestruara nga Beogradi zyrtar e ekzekutuar përmes frikësimit, presionit dhe shantazhit nga instrumentet kriminale në terren ndikuan në dalje të ulët të qytetarëve në këto zgjedhje. Krahas institucioneve për punën e tyre, falënderojmë qytetarët për kurajën dhe qetësinë. Zgjedhjet janë manifestim i demokracisë, të cilat përveçse e drejtë e qytetarëve, janë obligim e përgjegjësi që burojnë nga kushtetutshmëria dhe ligjshmëria e vendit. Në të njëjtën kohë, janë domosdoshmëri për garantimin e funksionimit normal të institucioneve shtetërore dhe sigurimin e shërbimeve publike ndaj qytetarëve. Kryetarëve dhe asamblistëve të sapo zgjedhur në këto komuna u urojmë punë të mbarë dhe suksese në detyrat dhe përgjegjësitë e reja. Qeveria e Republikës së Kosovës u ofron mbështetjen e plotë të saj në shërbim të qytetarëve, pa dallim”, thuhet në deklaratë.
Top Channel