Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se është i gatshëm për takim me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç në Bruksel, më 2 maj.
Ai nënvizoi nevojën e zbatimit pa vonesa të marrëveshjes së arritur me Serbinë.
“Gjithmonë jam gati për takimet e nivelit të lartë, të cilat organizohen me lehtësimin apo ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Takimi i radhës do të mbahet në Bruksel si zakonisht, me ç’rast duhet të diskutohet se si edhe marrëveshja Brukselit dhe aneksi i zbatimit nga Ohri që është pjesë integrale do të zbatohen pa vonesa dhe në plotni”, tha ai.
Duke folur për zgjedhjet e djeshme në katër komunat veriore, Kurti tha se fushata e egër e shantazhit dhe kërcënimit të Beogradit ndikoi në daljen e ulët në votime të qytetarëve në veri.
“Fushata e egër e Begoradit zyrtar, e cila u ekzekutua edhe nga elementët kriminale në terren në veri të Kosovës, padyshim ishte një fushatë e shantazhit të kërcënim që solli numër të ulët të qytetarëve. Më vjen keq që parti të caktuara politikëe kanë ftuar për bojkot, në fakt thirra nuk është e tyre por e Beogradit”, u shpreh ai.
Kryeministri iu uroi fitoren kandidatëve për kryetar të komunave veriore, ndërsa tha se pret konsolidimin e shpejtë të institucioneve komunale atje.
“Kemi katër kryetarë të rinj, jua uroj fitoren dhe punë të mbarë. Zotohem që qeveria e Kosovës do t’i mbështesë dhe ndihmojë. Janë krijuar kushtet që shërbimet publike dhe shërbimi sistemit të jetë në mirëqenie të qytetarëve”, shtoi më tej Kurti.
I pyetur nëse do të kishte dashur të ishte kryeprokurori i Kosovës nisur nga kritikat që i bën sistemit të drejtësisë, Kurti tha se nuk është penduar që është kryeministër.
Top Channel