Ambasadori kinez në Francë, Lu Shaye ngjalli debate të zjarrta në BE me deklaratat e tij të fundit, në të cilat vinte në pikëpyetje sovranitetin e ish-shteteve sovjetike, siç është dhe Ukraina.
Pohimet e tij gjatë një interviste televizive se këto ish-republika “nuk kanë një status efektiv në ligjin ndërkombëtar”, shkaktuan një stuhi të vërtetë diplomatike. Më shumë nga të gjithë e ngritën zërin Letonia, Lituania dhe Estonia, të cilat kërkuan një qëndrim të bllokut mbi çështjen. Ato thirrën menjëherë përfaqësuesit e Kinës duke i kërkuar sqarime.
Ministri i jashtëm çek Jan Lipavsky, u rreshtua në krah të vendeve balltike duke i cilësuar komentet e Shaye si krejtësisht të papranueshme. “Shpresoj që shefat e këtij ambasadori t`i qartësojnë të tilla deklarata”, u shpreh ai. Kundër këtij pretendimi u shprehën menjëherë edhe Ukraina, Moldavia, Franca e vetë BE-ja.
Pas kësaj, reagoi ministria e jashtme kineze, e cila sqaroi se e respekton sovranitetin e të gjithë vendeve ish-sovjetike.
“Pozicioni i Kinës për çështjen përkatëse mbetet i pandryshuar. Qëndrimi ynë në raport me sovranitetin territorial është i qëndrueshëm dhe i qartë: Kina respekton sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territoriale të të gjitha vendeve dhe mbështet qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Mao Ning.
Lidhur me qëndrimin e tij nëse Krimea, gadishulli ukrainas që u aneksua paligjshëm nga Moska më 2014, ishte pjesë e Ukrainës ose jo, Shaye tregoi atë që dhe historia e pranon, se ky gadishull ne fakt ka qenë pjesë e Rusisë dhe i është dhënë Ukrainës nga ish-lideri sovjetik, Nikita Krushov.
Por më tej ai tha se “këto shtete të ish-Bashkimit Sovjetik nuk kanë status në të drejtën ndërkombëtare sepse nuk ka një marrëveshje ndërkombëtare për të materializuar statusin e sovranitetit të tyre”.
Top Channel