Gjyqi për inceneratorin e Fierit/ Shtyhet seanca e parë për gjykimin në themel, munguan disa nga të akuzuarit

24/04/2023 19:20

Seanca e parë për dosjen e inceneratorit të Fierit dështoi. Siç pritej për shkak të numrit të lartë prej 20 të akuzuarish dhe adresave të tyre të vështira për t’u gjetur, gjykata e shtyu procesin për në fillim të muajit maj.

I njëjti problem u vërejt edhe për shtatë subjektet private gjithashtu nën akuzë për mashtrim me pasoja të rënda dhe pastrim parash.

Megjithatë u deshën gati dy orë apel ndaj të pandehurve dhe avokatëve të zgjedhur prej tyre me prokurë që trupa gjyqësore të konkludonte se për hapjen e procesit nuk ishin të gjithë të pranishëm.

Gjykata lexoi shpalljet  por edhe përpjekjet e policisë vendore për të vënë në dijeni mbi gjykimin edhe të kërkuarit sipas adresave të mëparshme të banimit të Klodian Zotos,  Arenc Myrtezani dhe Loran Dushën. Për të akuzuarin tjetër Guiseppe Ciaffaglione u tha se kanë nisur procedurat e ekstradimit.

Ndërkohë që ish ministri i Mjedisit, Lefter Koka dhe ish sekretari i përgjithshëm, Alqi Bllako pavarësisht se nuk ishin prezentë në gjykatë, ata përfaqësoheshin nga avokatët e tyre.

Në gjykatë gjendeshin vetëm disa nga anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, të dyshuar për shpërdorim detyre.

SPAK thotë se për inceneratorin e Fierit u krye korrupsion, u pastruan para dhe u mashtrua që nga shpronësimi i truallit ku do të ndërtohej inceneratori deri tek faturat fiktive për punimet. Megjithatë të gjithë të pandehurit kërkojnë pafajësi dhe pushim të çështjes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA