Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres paralajmëroi se situata e sulmeve në Sudan mund të përhapet në të gjithë rajonin dhe më gjerë, duke qenë se asnjëra nga palët nuk po tërhiqet.
Teksa situata sa vjen e vështirësohet, ai i bëri thirrje anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të ushtrojnë ndikimin maksimal për të gjetur një rrugë të mesme të konfliktit.
“Në Sudan nga luftimet e 15 prillit, qindra njerëz janë vrarë dhe mijëra të tjerë janë plagosur. Dhuna duhet të ndalet. Rrezikon një përhapje katastrofike brenda Sudanit që mund të përfshijë të gjithë rajonin dhe më gjerë. Ne të gjithë duhet të bëjmë gjithçka në fuqinë tonë për ta tërhequr Sudanin nga skaji i humnerës”, tha Antonio Guterres – Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara.
Përpara këshillit me 15 anëtarë, Guterres deklaroi se Kombet e Bashkuara nuk po largoheshin nga Sudani.
“Ne qëndrojmë me ta në këtë kohë të tmerrshme. Unë kam autorizuar zhvendosjen e përkohshme brenda dhe jashtë Sudanit të disa familjeve të personelit të Kombeve të Bashkuara”, shtoi më tej ai.
Prej disa ditësh Sudani është në gjendje të vështirë për shkak të sulmeve që kanë lënë të vdekur qindra persona, ndërsa mijëra diplomatë janë evakuuar nga zonat e prekura. Përplasjet e dhunshme midis dy ushtrive rivale, ushtrisë së rregullt vendase dhe trupave paraushtarake që njihen si Forcat e Mbështetjes së Shpejtë, ka ngritur alarmin tek vendet që kanë shtetasit e tyre që jetojnë në Sudan.
Top Channel